Kartat e kreditit/ Tregu ngelet i vogël dhe çmimet të larta

Tregu i kartave të kreditit shfaqi një ecuri të plogësht edhe gjatë vitit 2021, pa iu rikthyer dot nivelit të para pandemisë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar numri i kartave të kreditit aktive të lëshuara nga bankat tregtare në Shqipëri arriti afërsisht në 111 mijë, në rritje me 2.8% krahasuar me një vit më parë. Numri i kartave të kreditit ngeli në nivele më të ulëta krahasuar me fundin e vitit 2019, me 1.6% më pak.

As viti 2022 deri tani nuk ka dhënë sinjale përmirëismi, madje në fund të tremujorit të parë numri i kartave aktive të kreditit pësoi sërish një rënie të lehtë.

Karta e kreditit është një produkt që nuk ka arritur të zhvillohet shumë në tregun shqiptar. Një studim krahasues i Bankës Botërore i vitit 2020 tregoi se rreth 8% e shqiptarëve në moshë madhore zotëronin një kartë krediti, kundrejt 9.7% të boshnjakëve, 10.4% të kosovarëve, 16.7% të malazezëve, 17.4% të maqedonasve dhe 17.6% të serbëve. Në Eurozonë, kjo shifër është disa here më e lartë dhe pothuajse 45% e individëve zotërojnë një kartë krediti.

Zhvillimi i dobët i këtij produkti mund të lidhet sa me prapambetjen në depërtimin e shërbimeve bankare, aq edhe me faktin se ekonomia shqiptare ka një përqindje të lartë të përdorimit të parasë fizike si instrument për transaksionet ekonomike.

Kartat e kredititi e ndien më shumë efektin e pasojave të pandemisë, sepse përdorimi i tyre është shumë i lidhur me turizmin dhe udhëtimet. Por, përtej efektit negativ të pandemisë, tregu i këtij produkti në Shqipëri duket se nuk paraqet as shumë konkurrueshmëri dhe fleksibilitet.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit e kartave të kreditit për 6-mujorin e parë të këtij viti (për shumat e deri në 200 mijë Lekë) ishte 20.7% për kartat në Lekë dhe 19.7% për kartat në Euro.

Duke pasur parasysh se normat e interesit prej vitesh janë shumë afër zeros, marzhet bruto që aplikojnë bankat për këtë produkt ngelen shumë të larta. Për shembull, overdraftet e individëve, që janë një produkt i ngjashëm, për të njëjtën periudhë kishin një normë efektive mesatare prej 13.7% në Lekë dhe 14.5% në Euro.

Sipas bankierëve, çmimi i lartë lidhet me shkallën relativisht të lartë të rrezikut që kartat e kreditit bartin si produkte kreditore, por edhe me ekzistencën e një periudhë faljeje, brenda të cilës klienti mund ta paguajë detyrimin pa interesa.

Bazuar në të dhënat e Shoqatës së Bankave, tregu i kartave të kreditit ka gjithashtu një shkallë të lartë përqendrimi dhe dy banka, BKT (rreth 43%) dhe Raiffeisen (rreth 28%) zotërojnë mbi 70% të tregut, sipas numrit të kartave aktive. Bankat e tjera, të marra së bashku, mbajnë më pak se 30% të tregut. Madje, edhe banka me madhësi të konsiderueshme, si Intesa Sanpaolo apo ABI Bank, te kartat e kreditit kanë një pjesë tregu më të vogël se 1%, çka dëshmon një fokus të papërfillshëm te ky produkt.