Kaosi i udhëtimeve do të zgjasë edhe pas verës

E ardhmja e udhëtimeve pas Covid-19. Pandemia do të ndikojë tek udhëtimet për vitet në vazhdim, shkruan The Economist

Tom Maples shpenzoi pesë ditë dhe gati 7,000 dollarë për t’u kthyer në Londër nga Tanzania në maj. Shumë vende afrikane janë në “listën e kuqe” angleze, që do të thotë se kushdo që ka vizituar një nga këto vende në dhjetë ditët e mëparshme, duhet të karantinohet në një hotel të shtrenjtë aeroporti para se të hyjë në Angli. Duke dashur të shmangë koston, z. Maples bleu një biletë për në Nju Jork, ku mund të rrinte tek disa miq për disa javë.

Zyrtarët ia ndaluan fluturimin e parë. Ai rezervoi një të dytë, por e ndalën gjatë kalimit në Gjermani. Kufijtë e Amerikës ishin të hapur për shtetasit jo-amerikanë që udhëtonin nga Tanzania, por jo për ata që vinin nga Europa. Pas disa orësh lutjesh dhe kërkim për alternativa, ai u bind se nuk kishte rrugë tjetër veçse të kthehej në shtëpi.

Por kishte një pengesë tjetër: zyrtarët kërkonin që të paguante faturën e karantinës prej 2,400 dollarësh para se të lejohej në kufi. Në atë kohë, ai e kishte kaluar limitin e kartës së kreditit dhe duhej t’i kërkonte një të afërmi para hua. “Përvoja më shkatërroi fare emocionalisht”, thotë ai.

Qeveritë e kanë hequr fare kënaqësinë e të udhëtuarit këtë verë (shih grafikun 1). Britania ka vendosur rregulla mjaft të koklavitura. Në teori, sistemi i saj i vlerëson vendet sipas rrezikut nga Covid-19 dhe vendos rregullat e udhëtimit në përputhje me rrethanat. Por në praktikë, ky sistem është arbitrar, i paparashikueshëm dhe ndryshon vazhdimisht. Duke u përballur me presionin nga industria e udhëtimit dhe qytetarët e etur për të vizituar plazhet e vendeve të tjera, kryeministri i vendit Boris Johnson, ka përkrahur një “politikë të balancuar”. Ai nuk e shpjegoi se çfarë do të thoshte kjo