Kandidati për deputet i PDK-së ftohet nga Specialja në Hagë

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike Të Kosovës, Nezir Çoçaj është ftuar nga Gjykata Speciale e Hagës.

Lajmin është bërë me dije nga selia e OVL-UÇK-së përmes një postimi në rrjetet sociale, ndërsa njoftohet se Çoçaj e ka pranuar ftesën dhe se pritet që të shkojë atje në ditët në vijim.

Kujtojmë se, ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po gjykohen nga drejtësia ndërkombëtare në Hagë, pas aktakuzave të ngritura ndaj tyre nga Prokuroria Speciale, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Njoftimi i plotë:

OVL e UÇK-së, HAS njofton se:

NEZIR ÇOÇAJ është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale me seli në Hagë. Ai ka pranuar Ftesë për intervistim nga Dhomat e Specializuara që gjatë ditëve në vijim do të paraqitet për Intervistim.

OVL e UÇK-së, Dega në HAS,  mbështet fuqishëm njeriun e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kontributin e tij për themelimin e UÇK-së, po ashtu vlerëson lart disiplinën e Çoçajt gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë që kishte të vetmin qëllim si të gjithë bijtë e bijat, Çlirimin e Atdheut nga Jugosllavia Vrastare Fashiste.

ORGANIZATA E VETERANËVE TË LUFTËS, DEGA NË HAS i mbështetë të gjithë çlirimtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët luftuan për Lirinë e Vendit të tyre nga regjimi jugosllav, serb.

Lavdi Dëshmorëve të Kombit!

Drejtësi për Luftëtarët e UÇK-së!

OVL e UÇK- Dega në HAS

19.01.2021

Kryetar:

Xhevdet Thaqi