Kancelarja Merkel, “avokatja” e fuqishme e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE

Mesazhet e pritshme të kancelares Merkel në Beograd dhe Tiranë dhe si do të vazhdojë “Procesi i Berlinit” pasi iniciatorja Merkel të mos jetë më kancelare?

Angela Merkel, e para grua kancelare në historine e Gjermanisë dhe e dyta për shërbimin më të gjatë në këtë detyrë pas kancelarit Helmut Kohl, mbetet avokatja e fuqishme e integrimit në Bashkimin Europian. (BE) të Ballkanit Perëndimor, (BP). “Gjashtë vendet e BP i shoh, për arsye strategjike, si anëtare të ardhshme të BE. Është në interes të BE që ta ꞔojë procesin përpara”, tha kancelarja Merkel, kur mirëpriti në Berlin, më 5 korrik të këtij viti, samitin e tetë të BP në kuadër të ” Procesit të Berlinit “, nismës diplomatike të inicuar nga vetë ajo 7 vjet më parë.

Duket se është pikërisht ky qëndrim i palëkundur për domosdoshmërinë e hyrjes së BP në familjen europiane që e ka nxitur Angela Merkel të ndërmarrë një tur ballkanik dyditor, në mbyllje të mandatit të saj të katërt dhe të fundit si kancelarja federale gjermane.

Ajo do të qëndrojë të hënën (13.09) fillimisht në Beograd ku do të zhvillojë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile të BP dhe të martën në Tiranë, ku do të takohet me krerët e qeverive të Bosnjë-Herzegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, si edhe do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Rama.

Kancelarja Merkel – besim dhe respekt në rajon
Vlera dhe domethënia e qëndrimit në Beograd dhe Tiranë të kancelares Merkel shihen si me më rëndësi, sesa takimet e lamtumirës. “Kancelarja Merkel, përfaqëson një personalitet të madh që ka lënë vulën e saj, që ka ngjallur besim e respekt në 16 vite në këtë detyrë. Gjermania vlerësohet nga shqiptarët si një nga partnerët më të mëdhenj dhe kancelarja Merkel si një nga përfaqësueset më të shquara të Gjermanisë në 30 vitet e fundit. Edhe në vendet e tjera të rajonit ka të njëjtën optikë si kjo e shqiptarëve,” thotë për DW, historiani dhe politikani i njohur, prof. Paskal Milo, ish Ministër i Jashtëm.

Ai thekson që edhe pse ky tur ballanik ka në vetvete “shijen e një lamtumire” ai nuk është vetëm i tillë. “Merkel ka pasur një rol të veçantë në vendet e BP, jo thjesht nga pozita e saj si kancelare e Gjermanisë, por edhe si individ e personalitet që ka ngjallur besueshmëri tek qeveritë dhe mjediset politike problematike të rajonit. Emri i saj është i lidhur me një nismë konkrete, me ” Procesin e Berlinit”. Vendet e BP i kanë respektuar dhe vlerësuar mendimet e qëndrimet e saj për këtë nismë. Ajo me të drejtë shkon në Beograd dhe vjen nesër në Tiranë për të bërë edhe një bilanc të kësaj nisme dhe pse jo, të japë edhe këshilla për të mos e ndërprerë apo devijuar “Procesin e Berlinit” në forma dhe mënyra të tjera,” thotë për DW, prof. Paskal Milo.