Kajmaku apelon masën e sigurisë, Prokuroria i sekuestron telefonin

Ish-kryebashkiaku e Vorës, Agim Kajmaku ka apeluar masën “arrest me burg” të dhënë ndaj tij. Kajmaku është i shpallur në kërkim nga policia që nga dita e hënë (11 nëntor), pasi Prokuroria e Përgjithsh...

Ish-kryebashkiaku e Vorës, Agim Kajmaku ka apeluar masën “arrest me burg” të dhënë ndaj tij. Kajmaku është i shpallur në kërkim nga policia që nga dita e hënë (11 nëntor), pasi Prokuroria e Përgjithshme lëshoi urdhër-arrestin ndaj tij.

Policia shkoi për ta arrestuar, po ai nuk u gjet në banesë. Ai u shkarkua si kryebashkiak i Vorës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas deklarimit të rremë në formularin e vetëdeklarimit.

Vendimi është marrë nga prokurori i Tiranës, Kolë Hysenaj, i cili ka vënë nën akuzë Kajmakun për tre vepra penale, atë të falsifikimit të formularëve, që lidhet me mosdeklarimin në KQZ të ndalimit që i është bërë në Greqi , dhe të dy akuzave të tjera, “shpërdorim detyrës” dhe “ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.

Ndërkohë nga ana e saj, Prokuroria ka sekuestruar celularin e nënkryetarit të Bashkisë së Vorës, Gentian Picari.

Picari është emëruar në postin e nënkryetarit nga Agim Kajmaku, pasi ky i fundit u shkarkua nga KQZ si kryetar i Bashkisë së Vorës, për shkak se u vërtetuan akuzat e opozitës, se ai ka qenë i arrestuar dhe dënuar në Greqi për falsifikim parash.

Pas shkarkimit nga KQZ, u zbulua se Kajmaku kishte firmosur emërimin e dy nënkryetarëve të rinj të bashkisë, njëri prej të cilëve Gentian Picari. Ky i fundit ka bërë kërkesë që t’i rikthehet telefoni.