Johnny Depp mund të mos kërkojë 10 milionë dollarë nga Amber Heard me këtë kusht

Camille Vasquez dhe Benjamin Chew, avokatët e Johnny Depp , kanë thënë së fundmi se aktori mund të vendosë të heqë dorë nga pagesa e kompensimit të vendosur nga gjykata nëse Amber Heard nuk apelon vendimin.

Sipas vendimit, aktorja duhet të paguajë Johnny Depp 10 milionë dollarë.

Në një intervistë për Good Morning America , avokatët e tij folën për mundësinë që Depp të mos i kërkonte paratë , duke shtuar se arsyeja që gjyqi u nis nga aktori “nuk ishte kurrë për para”.

Chew i tha prezantuesit të emisionit televiziv se Depp ka dashur gjithmonë të “riparojë reputacionin e tij”, dhe asgjë tjetër.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse ishte e mundur që Depp të mos kërkonte para nëse Heard nuk apelonte, avokatët fillimisht u përgjigjën se “Ne nuk mund ta zbulojmë bisedën tonë me klientin tonë”.

“Por siç tha edhe Depp në gjyq dhe ne e kemi bërë të qartë gjithashtu, kjo nuk ishte kurrë për para”, shtuan ata.

“Ishte për të rivendosur reputacionin e tij dhe ne tashmë e kemi arritur këtë.”