Ja kush janë 6 të arrestuarit që shisnin ilaçe kontrabandë gjatë pandemisë

Policia e Tiranës jep detaje për aksionin e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, në bashkëpunim me Prokurorinë, për goditjen e veprave kriminale në fushën e farmaceutikës, ku në pranga ranë gjashtë presona.

Policia njofton se janë arrestuar shtetasit Blerim Bitri, Florian Marku, Margarita Xhaxhiu, Jani Papuli, Florian Lila dhe Bashkim Osmani.

Sipas policisë, të arrestuarit janë administratorë farmacish në Tiranë, 4 prej tyre, një është punonjëse dhe një tjetër dyshohet se ishte dërguesja e mallrave kontrabandë.

Të arrestuarit janë zbuluar pas një hetimi 10-mujor, në kuadër të operacionit të koduar “Përfitimi”, prej ku ka rezultuar se ata shisnin medikamente të dyshuara kontrabandë, gjatë periudhës së Covid-19.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet pas një hetimi 10-mujor operacioni policor i koduar “Përfitimi”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Shisnin medikamente të dyshuara kontrabandë, gjatë periudhes së Covid-19,vihen në pranga 6 shtetas.

Sekuestrohen barna të ndryshme, një automjet dhe 6 aparate celular.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një hetimi 10-mujor, zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor i koduar “Përfitimi”, në kuadër të të cilët u bë arrestimi i shtetasve:

B. B, 40 vjeç, administrator i një farmacie;
F. M, 39 vjeç, administrator i një farmacie;
M. Xh, 64 vjeçe, e dyshuar si dërguesja e mallrave kontrabandë;
J. P, 66 vjeç, i punësuar nga shtetasja M. Xh;
F. L, 40 vjeç, administrator i një farmacie;
B. O, 56 vjeç, administrator i një depoje farmaceutike.

Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë periudhës së Covid-19, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin medikamente të dyshuara kontrabandë.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale barna të ndryshme, një automjet dhe 6 aparate celular.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i paisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”.