“Ja çfarë i thashë Guardiolës”/ Mourinho rikujton përballjen me Barçën kur drejtonte Interin

Viti 2010 është i veçantë për historinë e Interit duke qenë se zikaltërit ia dolën të fitonin tripletën e titujve, ku qershia mbi tortë ishte Champions League. Gjatë rrugëtimit, Interi eliminoi në gjysmëfinale Barcelonën.

Një mision i vështirë por që italianët ia dolën edhe pse në Camp Nou mbeten me 10 vetë në fushë pas daljes me karton të kuq të Thiago Mottas. Këtij episodi i është kthyer edhe trajneri i zikaltërve në atë kohë, Jose Mourinho. Luzitani zbulon se pas kartonit të kuq të Motës, i është afruar teknikut të blaugranave, Guardiola duke i thënë të mos festonte para kohe.

“Kur Busquets ra në tokë si i vdekur, unë isha në diagonal me me pankinën tonë dhe të tyrën si dhe pikën ku Thiago Motta mori të kuqin. Me bisht të syrit shikoj që në pankinën e tyre po bëhej festë sikur kishin fituar. Ndërkohë, Guardiola thërret Ibrën për t’i folur mbi taktikën. Taktikë 11 kundër 10…

I thashë vetëm “Mos bëj festë, kjo ndeshje nuk ka përfunduar”, tregon Mourinho. Në fund, fjalët e portugezit rezultuan të sakta pasi Barcelona fitoi 1-0, por u eliminua pasi ishte mposhtur me rezultatin 3-1 në ndeshjen e parë.