Ja Bizneset që i “përpinë” milionat e shtetit në 2019, kryeson firma Gjoka

Miliona euro janë dhënë për llogari të kompanive private nga thesari i shtetit për punët e kryera në vitin 2019.

Open Data Albania ka nxjerrë gjithë transaksionet dhe ka bërë klasifikimin sipas parave të marra, ku siç shihet nga grafiku rezulton se firma Gjoka87 që në janar 2019 ka marrë një transaksion prej 2.1 miliardë lekësh si pagesë për “Rrugën e Arbrit”.

Sipas të dhënave të Open Data, një tjetër firmë që ka marrë jo pak nga buxheti i shtetit për vitin e kaluar është Jehona Softëare.

Kjo firmë e krijuar në 2014 vendoset e treta në listën e transaksioneve dhe është paguar nga drejtoria e përgjithshme e taksave në 5 tetor në shumën 432 milionë lekë si pagesë për “përmirësim të modulit të menaxhimit” pas një kontrate të firmosur në nëntorin 2018. Në total, drejtoria e Taksave ka bërë pesë pagesa për këtë kompani me një vlerë prej më shumë se 759 milionë lekësh. Kompania “Fusha” renditet e katërta në rankimin e Open Data.

Pagesa prej 420 milionë lekësh është bërë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si pjesë e kontratës për rikonstruksionin e bulevardit të Vlorës, sipas kontratës së firmosur në mars 2018.

Një tjetër transaksion i lartë nga buxheti i shtetit në favor të kompanive është një e bërë për Tosk Energy.

Shuma është afër 365 milionë lekë dhe është kryer në 31 dhjetor 2019, ditën e fundit të vitit 2019. Pagesa përshkruhet si një rimbursim TVSH për shërbime dhe punë të brendshme. Kompania e pestë që ka marrë transaksione të mëdha nga buxheti është Trans Adriatik Pipeline Ag Albania dhe kjo për rimbursim TVSH.

Në total kjo kompani ka përfituar nga 10 transaksione të tilla në shumën prej 2.7 miliardë lekësh. Në listë është edhe kompania Gener2. Edhe kjo firmë e vlerësuar në firmat e 10-tësh kryesore kompania ka përfituar 330 milionë lekë të reja nga buxheti I shtetit në një transaksion të kryer në 7 qershor të vitit të kaluar dhe sipas asaj që është shkruar është kryer nga Autoriteti Kombëtar i rrugëve./apel.media