“Ishte i jashtëzakonshëm”, trajneri i Southampton nuk i kursen lavdet për Brojën: Me golin e shënuar do të fitojë më shumë konfidencë

Një ditë para ndeshjes, trajneri i Southampton Ralf Hasenhuttl e quajti Brojën “një rezervë të mirë”, megjithatë duket se kishte ndërruar mendje dhe ia besoi sulmuesit kuqezi, udhëheqjen e repartit të avancuar në sfidën ndaj Leeds-it.

Futbollisti shqiptar nuk zhgënjeu, pasi jo vetëm bëri një ndeshje fantastike, duke mbajtur në alarm tërë kohës mbrojtjen e Leeds-it, por arriti të shënojë edhe golin e vetëm të takimit, duke lënë shenjë në fitoren e parë sezonale të Southampton.

Në përfundim të ndeshjes Hasenhuttl nuk i kurseu komplimentet për sulmuesin 20-vjeçar dhe deklaroi se ky gol do t’i japë konfidencë Brojës, që ka potencial për të bërë shumë më mirë në të ardhmen.

“Të them të drejtën ndaj Sheffield United nuk më pëlqeu, megjithatë sot bëri shumë më mirë. Ishte i jashtëzakonshëm dhe besoj që me një paraqitje të tillë e me golin e shënuar, të fitojë më shumë konfidencë, pasi ka potencialin për të bërë shumë më tepër se kaq. Sot ishte shansi të tregonte që mund të luante 90 minuta dhe e bëri më së miri”, deklaroi austriaku.