Ishemia e heshtur e zemrës/ Kur zemra dëmtohet pa bërë zhurmë

Kur zemra juaj pëson nje dëmtim, ju mund të përjetoni dhimbje gjoksi ose asgjë. Pikërisht kjo është ishemia e heshtur e zemrës. Në momente të caktuara te ditës, kur zemra juaj punon më shumë se zakoni...
Ishemia e heshtur e zemrës/ Kur zemra dëmtohet pa bërë zhurmë
Foto: Ishemia e heshtur e zemrës/ Kur zemra dëmtohet pa bërë zhurmë

Kur zemra juaj pëson nje dëmtim, ju mund të përjetoni dhimbje gjoksi ose asgjë. Pikërisht kjo është ishemia e heshtur e zemrës.

Në momente të caktuara te ditës, kur zemra juaj punon më shumë se zakonisht, si gjatë një aktiviteti fizik apo stresi emocional, ajo ka nevojë për më shumë gjak të pasur me oksigjen. Kur ky furnizim është i pamjaftueshëm ndodh ishemia e miokardit dhe kur kjo e fundit është severe apo e zgjatur në kohë, pasohet nga infarkti. Si rezultat i këtij procesi individi përjeton dhimbje, e cila mund të përhapet në supe, krahë, qafë dhe nofull; por ndonjëherë i gjithë ky proces mund të ndodhë pa shkaktuar asnjë simptomë duke çuar në një ishemi/infarkt të heshtur të miokardit. Mungesa e dhimbjes bën që pacientët të mos kërkojnë trajtim mjekësor në kohën e duhur, duke çuar kështu në rritjen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë.

Përse ndodh ishemia e heshtur?

 Shkaqet e një sulmi të heshtur në zemër janë të njëjta me ato të një sulmi klasik. Diabetikët në veçanti, janë shpesh të prekur nga aksidentet kardiovaskulare. Kur niveli i sheqerit në gjak është i pakontrolluar, me kalimin e kohës enët e gjakut dhe nervat dëmtohen. Një ngjarje e tillë bën që të ulet perceptimi i simptomave (si dhimbja) ose të mungojë fare; kjo njihet si neuropatia diabetike.
 Një shkak kryesor është presioni i lartë i gjakut dhe kalçifikimi i arterieve (arteriosklerozës). Kur kjo është e pranishme, për shkak të stenozave në enët e gjakut, mund të reduktohet sasia e gjakut që qarkullon nëpër të gjithë trupin. Nën një stres të fortë fizik ose emocional, jo mjaftueshëm oksigjen dhe lëndë ushqyese arrijnë organet, duke përfshirë edhe zemrën. Kjo mund të çojë në një dëmtim të zemrës (të heshtur ose me simptoma), gjatë të cilit një pjesë e muskulit mund të vdesë (nekrotizohet).
 Stresi fizik dhe emocional mund të shkaktohet nga ngjarje personale, profesionale si dhe nga konsumimi i duhanit, pasiviteti fizik ose obeziteti. Një sulm i heshtur i zemrës shpesh rezulton në një rënie të funksionit pompues të saj. Kjo shkakton rritje të frekuencës kardiake, çrregullime të ritmit dhe mund të kufizojë aktivitetet e përditshme tek personat e prekur.
 Kalimi i një infarkti të mëparshëm shoqërohet me një ulje të jetëgjatësisë dhe dëmtim të përhershëm të zemrës; rreziku i përjetimit të një sulmi tjetër kardiak është gjithashtu më i lartë.

Të dedektosh armikun e heshtur

Zbulimi i ishemisë së heshtur është jo pak sfidues në krahasim me isheminë simptomatike. Në pjesën më të madhe të rasteve zbulohet nëpërmjet testit të stresit (prova e biçikletës ose tapeti). Kur pacienti kryen testin, zemra kërkon më shumë gjak të oksigjenuar, kështu që episodet ishemike bëhen të dukshme dhe vlerësohen nga mjeku specialist. Gjatë kësaj prove njerëzit e shëndetshëm nuk regjistrojnë modele ishemike. Një tjetër metodë e suksesshme është dhe monitorimi i aktivitetit elektrik të zemrës, ritmit dhe frekuencës për 24 orë ose më tepër nëpërmjet aparatit Holter.

Rregullimi i perfuzionit të dëmtuar

Kalimi i një ishemie – të heshtur ose jo – rrit riskun për një atak kardiak. Kjo është veçanërisht e vërtetë nqs keni faktorë të tjerë që rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës, të tillë si: duhanpirja, hiperkolesterolemia ose presioni i lartë i gjakut. Trajtimi mund të përfshijë barna si beta-bllokuesit të cilët ulin ngarkesën e zemrës, kalcibllokuesit dhe nitratet të cilat zgjerojnë enët e gjakut dhe permirësojnë fluksin e gjakut në zonat e prekura nga ishemia. Në rastet e një ishemia të rëndë, ndërhyrja kirurgjikale është e nevojshme. Perfuzioni i zemrës në këtë rast mund të përmirësohet nëpërmjet vendosjes së stentit apo bypassit koronar.

Prognoza

Natyra apo intensiteti i dhimbjes nuk është domosdoshmërisht i lidhur me prognozën apo madhësinë e zonës së prekur nga ishemia. Ndonjëhere prania e dhimbjes krijon ankth dhe është një kujtesë e vazhdueshme që ju keni një sëmundje. Përdorimi i barnave antianginoz zvogëlon anginën por edhe isheminë e heshur. Hapat më të rëndësishëm lidhen me zakonet standarte të mbrojtjes së zemrës si: të ushqyerit shëndetshëm, aktiviteti fizik, kontrolli i peshës, i presionit të gjakut, i kolesterolit si edhe kontrollet periodike tek mjeku specialist përsa kohë jeni të ekspozuar ndaj faktorëve të riskut.

Material i përgatitur nga Dr. Shk. Nereida Xhabija dhe Dr. Klaudia Stajka