Ish deputeti Bumçi: Nuk është normale që të shpallet Berisha non grata, vendimit të DASH i mungon legjitimiteti

Ish-deputeti i PD, Aldo Bumçi ka deklaruar se vendimit për shpalljen non-grata të ish-kryeministrit Sali Berisha i mungon legjitimiteti.

Në një intervistë për media, Bumçi tha se Basha duhet të japë dorëheqjen dhe se projekti i Foltores është të mbledhë të gjithë demokratët në shtëpinë e madhe.

“Kongresmeni Zeldin me të drejtë thotë se është jonormale që të shpallet Berisha non grata, kur nuk ka prova. Deri tani vërtetohet ajo që thotë Sali Berisha, atë që DASH e ka thënë vetë kur Berisha ka qenë në qeveri. Ky është një vendim që i mungon legjitimiteti.

Kongresmeni Zeldin ka thënë se është e treta herë që i drejtohet DASH për informacion për non gratën e Berishës dhe fakti që nuk merr përgjigje, është dyshuese.

Këto mund të them për shpalljen non grata të Berishën. Ndërsa, Basha duhet të japë dorëheqjen. Ne nuk duhet të kemi parti tjetër, ne jemi demokratë që duam PD shtëpi të madhe. Projekti i Foltores është të mbledhë të gjithë demokratët, pavarësisht a janë me Berishën a jo, por të jenë demokratë të vërtetë”, shprehet Bumçi.