Duke qenë se Shqipëria është një zonë që futet në zonat me aktivitet sizmik të lartë edhe inxhinierët dhe studiuesit kanë rënë dakord që të bëhet një punë kërkimore, në të cilën do të evidentohen edhe strukturat optimale, të cilat do të mbrojnë ndërtesat në raste tërmeti.
Këtë studim e ka kryer profesori Altin Seranaj nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit
Përmes eksperimenteve të tij, ai ka vërtetuar se sistemet strukturore nuk reagojnë në mënyrë të njëjtë kur ndodhen nën veprimin e lëkundjeve sizmike.
Seranaj thotë se detyra e parë e projektuesit është zgjedhja e një strukture, e cila e mbron ndërtesën nga lëkundjet sizmike.
Përmes studimit të tij, ai na ka sjellë edhe tre modele të sistemit të ndërtimit, të cilat janë ideuar për të mbrojtur ndërtesat nga lëkundjet.
1.Sisteme me Rama
Quhet ai sistem i cili ngarkesa vertikale dhe ato anësore përballohen kryesisht prej ramave hapësinore. Ramat mund të jenë plane apo hapësinore. Natyrisht që koncepti i ramave plane është një thjeshtim që ne bëjmë dhe përdoret në rastet kur ne kemi simetri të plotë si në plan ashtu edhe në vertikalitet. Vetëm në këto raste ne mund të bëjmë llogaritjen e strukturës në plan.
Në të gjitha rastet e tjera duhet t’i llogaritim ramat në hapësirë. Përballimi i forcave horizontale (duke përfshirë edhe ato vertikale) sigurohet me anë momenteve rezistues të përkuljes në elementët tra dhe kolone. Projektimi sipas kapaciteteve bazohet në konceptin kolonë e fortë dhe tra i butë. Formimi i pikave të shuarjes së energjisë së tërmetit ose siç quhen ndryshe çernierat plastike duhet të formohen fillimisht në trarët e ramës. Vetëm kështu mund të kemi një mobilizim maksimal të elementëve strukturorë për të përballuar forcat e shkaktuara prej lëkundjeve sizmike. Krijimi i tyre më parë në kolona do të sillte humbje të qëndrueshmërisë së strukturës. Këto kushte sigurohen në bazë të analizës së kapaciteteve të nyjeve duke siguruar që momentet rezistues në kollona të jenë të paktën 1.3 herë më të larta se ato të shumatorës së trarëve. Nisur nga ky kushte bëhen edhe detajimet e elementëve strukturorë.
2.Sisteme me Mure
Ky është një tip i veçantë i sistemeve ku ngarkesa vertikale dhe ato anësore përballohen nga mure vertikale që quhen edhe “diafragma strukturore”. Këto projektohen sipas skemave me inkastrim në tokë. Në këto sisteme muret mund të punojnë të veçuar, d.m.th të pavarur nga njëri-tjetri, por mund të jenë edhe të lidhur me anë trarësh që realizojnë bashkëpunimin e tyre, duke reduktuar efektet (momentet) vepruese në to.
Në Eurokodin 8 (EC8-2004) si tip i veçantë i sistemeve me mure dallohet rasti kur muret janë me seksione tërthore të përmasave të mëdha dhe të armuar lehtë. Në dallim nga rastet me mure duktile, në konceptimin dhe llogaritjen e këtij tipi parashikohet një sjellje inelastikë mjaft e kufizuar e mureve të këtij sistemi (pra kufizohet duktiliteti).
3.Sistemi Miks
Quajmë atë sistem ku përballimi i ngarkesave vertikale bëhet kryesisht nga rama hapësinore, kurse në rezistencën ndaj ngarkesave anësore kontribuojnë pjesërisht sistemi ramë dhe pjesërisht muret strukturorë, të veçuar ose të lidhur (bashkëpunues) me njëri-tjetrin. Në varësi të kontributeve që jep për përballimin e ngarkesës anësore secili prej sistemeve komponentë, mbi 50% dhe nën 50%, sistemet duale konsiderohen përkatësisht si me rama-ekuivalente dhe memurë-ekuivalentë. Strukturat mikse janë konceptime efikase antisizmike veçanërisht për ndërtesa të larta dhe shumë të larta. Për shkak të ngurtësisë së lartë të mureve arrihet të mbahen nën kontroll zhvendsojet relative të kateve./ apel.media