Investimet e huaja po mbështeten te nafta, pasuritë e paluajtshme dhe sektori financiar

Investimet e huaja në industrinë nxjerrëse kanë shënuar një rritje të ndjeshme në tremujorin e dytë të këtij viti.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se ky sektor solli fluksin më të madh të investimeve të huaja, me 55 milionë euro, në rritje me nëntë herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe për të gjithë 6-mujorin e parë të këtij viti, industria nxjerrëse mbetet sektori që ka tërhequr më shumë investime të huaja, me 95 milionë euro ose 20% të totalit. Flukset në këtë sektor konsistojnë kryesisht në fitime të riinvestuara të kompanive ekzistuese në aktivitetin e nxjerrjes së naftës bruto. Këtë vit çmimet e naftës bruto kanë ardhur në rritje, duke ndjekur ciklin e përmirësimit të ekonomisë botërore pas goditjes së rëndë dha pandemia vitin e kaluar. Kjo rritje çmimesh duket se ka nxitur rritjen e investimeve të huaja në nxjerrjen e naftës në Shqipëri, sidomos gjatë tremujorit të dytë.

Rritje të ndjeshme edhe në tremujorin e dytë të vitit shënuan investimet në aktivitete të pasurive të paluajtshme. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një fluks hyrës prej 50 milionë eurosh, në rritje me pesë herë krahasuar me një vit më parë. Për 6-mujorin, investimet në këtë sektor kanë arritur vlerën e 80 milionë eurove, në rritje vjetore me 186%. Pasuritë e paluajtshme janë këtë vit sektori i dytë për nga pesha e investimeve të huaja direkte. Rritja e çmimeve në tregun e pasuirve të paluajtshme duket se po tërheq jo vetëm investimet vendase, por edhe kapitalet e shtetasve të huaj.

Vijon sektori financiar, që për gjysmën e parë të këtij viti ka tërhequr investime në vlerën e 76 milionë eurove, në rritje me 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sektori bankar sjell në vazhdimësi flukse të konsiderueshme investimesh, për shkak se rritja e bankave tregtare kërkon shtim gradual të kapitalit aksioner, për të qëndruar në përputhje me kërkesat rregullatore. Pas pandemisë, autoritetet mbikëqyrëse në tregun bankar dhe të sigurimeve kanë vendosur pezullime të përkohshme të shpërndarjes së fitimeve, që vazhdojnë të jenë në fuqi për fitimet e vitit 2020.

Ndërkohë, në sektorin energjetik, investimet e huaja direkte këtë vit janë në rënie të fortë. Për 6-mujorin, ato kishin vlerën e 42 milionë eurove, në rënie me 73% më pak ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Rënia e investimeve në sektorin energjetik ishtenjë zhvillim i pritshme, pas përfundimit të gazjellësit TAP dhe projekteve më të mëdha të investimit në hidrocentrale.

Investimet e huaja këtë vit po rriten edhe në sektorët e industrisë përpunuese, tregtisë dhe ndërtimit. Investimet e huaja në industrinë përpunuese arritën në 43 milionë euro, 23% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërsa investimet e huaja në tregti dhe ndërtim arritën përkatësisht në 24 dhe 23 milionë euro, me një rritje prej më shumë se dy herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Tjetër degë me rritje të investimeve të huaja është ajo e shërbimeve profesionale, shkencore dhe teknike, degë e lidhur kryesisht me aktivitetet e call center, të suportit teknik apo të shitjeve për platforma të shërbimeve financiare. Për 6-mujorin 2021, ky sektor tërhoqi investime të huaja në vlerën e 36 milionë eurove, tre herë më shumë më shumë krahasuar me një vit më parë, rritje e përqendruar sidomos në tremujorin e parë të vitit.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Shqipëria tërhoqi gjithsej 463 milionë euro investime të huaja, në rritje me 0.6% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë./Monitor