Inteligjenca dhe policia turke kapin në flagrancë rrjetin e agjentëve të Iranit

Agjencia Kombëtare e Inteligjencës e Turqisë dhe policia turke kanë zënë në flagrancë një rrjet agjentësh që përpiqeshin të rrëmbenin një ish-ushtar iranian.

Sipas informacioneve të siguruara, tetë persona, dy prej të cilëve agjentë të Iranit, të dërguar për të rrëmbyer ish-ushtarin iranian M.A. që banonte në Van të Turqisë, janë kapur në një operacion të MIT-it dhe Drejtorisë së Policisë së Vanit më 24 shtator 2021.

MIT ka zbuluar se pjesëtarët e inteligjencës së Iranit janë përpjekur të krijonin një rrjet në Van me buxhet prej 30 mijë dollarësh për rrëmbimin e ish-ushtarit.

Me urdhër të agjentëve iranianë, pjesëtarët e rrjetit, të cilët ishin vënë nën përcjellje nga MIT dhe policia turke, i kanë ofruar gruas së M.A.-së, M.E., 10 mijë dollarë për të ndihmuar në rrëmbim, duke e kërcënuar se do ta dëmtonin familjen e saj që jeton në Iran nëse nuk pranon.

Me zbulimin se inteligjenca iraniane kishte dërguar dy persona në Van më 24 shtator për të rrëmbyer M.A.-në në Iran me automjet, MIT dhe Policia e Vanit kapën në flagrancë anëtarët e rrjetit.

Rreth orës 21:00 më 24 shtator, u ndaluan shtetasi iranian S.S. dhe shtetasi turk M.E.A., të cilët u përpoqën të hynin në banesë për të rrëmbyer M.A.-në.

Gjatë vazhdimit të operacionit, u kapën edhe gjashtë shtetas turq që ishin pjesëtarë të rrjetit.