Infektivi do të vijojë të mbahet i hapur për rastet e urgjencave covid pa një datë të përcaktuar

Spitali infektiv do të rihapet sërish në një tjetër strukturë spitalore brenda QSUT.

Burime për median bëjnë me dije se spitali i vetëm terciar në vend do të vendoset në ambientet e ish-spitalit Covid 3 dhe do të jetë funksional nga dita e hënë dhe në vijim.

Gjithashtu spitali i vetëm Covid i vendosur në godinën historike të Infektivit do të vijojë të mbahet i hapur për rastet e urgjencave dhe shtrimeve covid pa një datë të përcaktuar.

Ndërkohë pritet reduktim i ndjeshëm i stafit në spitalin Covid 1 dhe pjesa më e madhe e personelit do t’i rikthehet trajtimit të të sëmurëve kronikë që për 15 muaj thuajse mbetën pa një spital të dedikuar dhe vetëm një pjesë qe kishin patologji të rënda u transferuan në pavionet e QSUT.

Me mbarimin e pandemisë qeveria ka premtuar shëmbjen e ndërtesës së vjetër të Infektivit dhe ndërtimin në vend të saj të një spitali të ri.