Infeksionet e reja mes personave të pavaksinuar

Prej disa ditësh në Itali ka më shumë të vaksinuar kundër koronavirusit sesa të pa vaksinuar, në mesin e popullatës mbi 12 vjeç. Pra mbi 52 për qind e kanë kryer ciklin e plotë të vaksinimit kundër Covid-19.

Është një rezultat i rëndësishëm kundër pandemisë, me të cilën qeveria shpreson të përmirësojë situatën javët e ardhshme, por që mbart në vetvete edhe një paradoks që shfrytëzohet ndonjëherë nga ata që kundërshtojnë vaksinimet dhe që pretendojnë në mënyrë të gabuar dhe të rreme se këto janë “të padobishme pasi të vaksinuarit sëmuren ashtu si të tjerët”.

Siç raportoi së fundmi Instituti i Lartë i Shëndetësisë(ISS), kur në një popullatë ka shumë të vaksinuar ekziston një “paradoks” ku infeksionet, shtrimet në spital dhe vdekjet janë të ngjashme midis të vaksinuarve, krahasuar me ata që nuk kanë marrë vaksinën.

Kjo mund të duket si një pasojë kundër-intuitive, por vetëm sepse nis nga premisa e gabuar e marrjes në konsideratë të numrave absolutë, dhe jo të përqindjeve. Sa më shumë që zgjerohet vaksinimi, aq më shumë do të shtohen rastet e rralla të të infektuarve dhe të sëmurëve edhe në mesin e atyre që vaksinohen, duke kaluar potencialisht në terma absolutë shifrat e atyre në mesin e popullatës që nuk është vaksinuar.

Por duke pasur parasysh vlerat në përqindje, është e qartë efektet e koronavirusit midis atyre që janë vaksinuar plotësisht janë shumë më të kufizuara, krahasuar me ata që kanë marrë vetëm një dozë ose asnjë dozë.

Një vaksinë nuk mbron në mënyrë absolute të gjithë individët që vaksinohen, gjë që vlen edhe për vaksinat aktuale të koronavirusit. Nga analizat e ISS, ne e dimë se njerëzit e vaksinuar plotësisht janë 88 për qind të mbrojtur nga infeksioni, 94 për qind nga shtrimi në spital, 97 për qind nga shtrimi në repartin e terapisë intensive për simptoma të rënda, dhe 96 për qind nga vdekja.

Nisur nga këto rrethana, mund të pritet që midis njerëzve të vaksinuar të ketë disa raste me infeksione, shtrime në spitale apo edhe vdekje. Por numri i tyre është shumë më i ulët në përqindje, në krahasim me atë që ndodh tek individët e pa vaksinuar.

Ndërsa rritet numri i njerëzve të vaksinuar, zvogëlohet numri i rasteve në popullatë për shkak të efektivitetit të vaksinimit. Mund të ketë një pikë ku rastet e rralla midis të vaksinuarve të jenë në terma absolutë më të shumtë sesa ato midis të pa vaksinuarve.

Në rast se e gjithë popullata do të vaksinohej, rastet e zbuluara do të ishin vetëm midis njerëzve të vaksinuar, por ato do të ishin sërish shumë më të pakta sesa ato që do të vëreheshin në mungesë totale të vaksinës.

Le të imagjinojmë sikur ekziston një komb prej 100 personash. Nëse të gjithë janë të vaksinuar, 5 mund të pritet të sëmuren dhe të shfaqin simptoma që kërkojnë shtrimin në spital. Në këtë rast, sëmuren vetëm të vaksinuarit, sepse nuk ka njerëz të pa vaksinuar.

Në një skenar kur janë vaksinuar 85 persona dhe 15 jo, është e mundur që në terma absolutë të ketë më shumë infeksione midis grupit të parë, thjesht sepse është shumë më i madh në numër se i dyti. Paradoksi i vaksinimit, ka qenë prej kohësh i njohur për virologët dhe epidemiologët, dhe siç e thekson ISS, është e rëndësishme që për të gjithë të jetë e qartë se si ta vlerësojnë atë “për të shmangur shqetësimet dhe humbjen e besimit tek procesi”.

Vështirësia për ta interpretuar drejt informacionin e caktuar, buron edhe nga fakti se përmes mbikëqyrjes – me sistemin e testeve – bëhen të dukshme vetëm rastet e rralla të njerëzve që sëmuren pavarësisht se janë vaksinuar, ndërsa rastet e sëmundjes shmangen falë vaksinave (dhe këtu hyn shumica).

Sa më e lartë të jetë përqindja e të vaksinuarve, aq më e mbrojtur është popullata (madje edhe në pjesën e të pa vaksinuarve) dhe zvogëlohet rreziku i formimit të varianteve të reja. Në fakt shfaqja e tyre lidhet me qarkullimin e koronavirusit dhe jo me vetë vaksinimin, që e zvogëlon rrezikun për të pasur variante të reja, kundër të cilave vetë vaksinat mund të ishin më pak efektive. /BOTA.AL