Impenjim maksimal/ Kuqezinjtë kryejnë me sukses seancën e radhës stërvitore. Hysaj & Seferi mbërrijnë në ‘Shtëpinë e Futbollit’

Kombëtarja shqiptare ka vijuar në ditën e pestë të grumbullimit stërvitjet në një nga fushat e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ku po përgatitet për dy takimet ndaj Moldavisë (17 qershor) dhe Ishujve Faroe (2...
Impenjim maksimal/ Kuqezinjtë kryejnë me sukses seancën e radhës stërvitore. Hysaj & Seferi mbërrijnë në ‘Shtëpinë e Futbollit’
Foto: Impenjim maksimal/ Kuqezinjtë kryejnë me sukses seancën e radhës stërvitore. Hysaj & Seferi mbërrijnë në ‘Shtëpinë e Futbollit’

Kombëtarja shqiptare ka vijuar në ditën e pestë të grumbullimit stërvitjet në një nga fushat e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ku po përgatitet për dy takimet ndaj Moldavisë (17 qershor) dhe Ishujve Faroe (20 qershor), të vlefshme për kualifikueset e Europianit 2024.

Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo dhe stafit kuqezi, skuadra ka zhvilluar vetëm një seancë stërvitore pasditen e kësaj të premteje. Grupi kuqezi thuajse është kompletuar, teksa ditën e sotme janë bashkuar me ekipin edhe mbrojtësi Elseid Hysaj dhe sulmuesi Taulant Seferi. Sakaq, grupit pritet t’i bashkohen në vijim edhe Kristjan Asllani e Jasir Asani.

Ashtu sikurse gjatë gjithë kësaj jave, grupi i është drejtuar fillimisht qendrës së fitnesit në Shtëpinë e Futbollit për të kryer disa minuta stërvitje në palestër, ndërsa më pas ka vijuar në fushë me ushtrime të përgatitjes fizike. Trajneri Silvinjo dhe stafi teknik kanë vijuar më tej edhe me pjesën taktike për situata të ndryshme të lojës, duke provuar edhe vendosje të ndryshme në fushë.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se të gjithë lojtarët gëzojnë formë shumë të mirë fizike dhe se atmosfera në grupin kuqezi është shumë e mirë. Edhe impenjimi nga ana e futbollistëve shqiptarë është maksimale.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Moldavisë më 17 qershor në stadiumin kombëtar “Air Albania”, ndërsa më 20 qershor, kuqezinjtë do të luajnë në transfertë ndaj Ishujve Faroe. Të dyja këto ndeshje janë të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’.