IKMT sqaron banorët e “Unazës së Re” dhe gjithë qytetarët: “Nuk jemi të korruptuar, nuk kemi marrë rryshfet”

Mbi bazën e disa akuzave të bëra nga banorët e zonës së Astirit se Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit u ka marrë rryshfete për shtëpitë.

Kjo e fundit përmes një komunikate për mediat sqaron publikun se këto akuza janë të paqarta dhe të pabaza në adresë të IKMT.

Reagimi :

Janë akuza pa emra, pa fakte, pa denoncime ligjore, vetëm mediatike, që synojnë baltosjen dhe krijimin e tymnajës së thashethemeve përreth një institucioni.

Pikë së pari, IKMT fton këdo qytetar, me emër, apo anonim, të denoncojë në organet përkatëse, në media, apo dhe në IKMT, personat që u kanë kërkuar rryshfet dhe secili të mbajë përgjegjësitë e tij sipas ligjit. Por IKMT vëren me keqardhje, se punën e saj ndonjëherë edhe mbi mundësitë, jashtë orareve, vetëm për të hapur sa më shpejtë kantieret e projekteve të reja të qeverisë për vendin dhe qytetarët, përpiqen ta përdhosin me akuza të neveritshme, për të mos thënë të porositura.

Te tilla quajmë fjalët e një zonje në media, e cila përmendte shifra “të korrupsionit”, por pa dhënë ndonjë fakt, përveç fjalëve. Zonja përmendi edhe emrin e drejtorit të Tiranës në IKMT, si personi që i ka komunikuar se duhet të lirojë shtëpinë, por në lëmshin e fjalëve pa krye e pa trup, mund të aludohej kollaj siç edhe ndodhi nga mediat, se zyrtarët i paskëshin kërkuar shpërblim për mosprishjen e shtëpisë. Më poshtë keni dokumentin e sotëm të kallëzimit penal nga drejtori i Tiranës në IKMT, si dhe vendimin e Këshillit të Ministrave për prishjen e objektit që zonja pretendonte se mund të qëndronte në këmbë nëpërmjet rryshfetit.

IKMT siguron qytetarët se puna e saj voluminoze, në gjithë Shqipërinë, në tetë vite me rradhë, nuk mund të përlyhet e as nëpërkëmbet nga askush, qofshin këta qytetarë të prekur nga punët publike, apo qytetarë të instruktuar nga dëshira a premtime politike.