Idlib, dimri vështirëson jetën e sirianëve që jetojnë në çadra

Reshjet e dendura të shiut që kanë prekur provincën veriperëndimor të Sirisë, Idlib, ka ndikuar negativisht në jetën e mijëra civilëve që jetojnë në çadra në rajon.

Shumë çadra në kampin ku janë strehuar civilët e zhvendosur në Idlib, kanë mbetur nën ujë për shkak të reshjeve të dendura.

Qindra familjeve, shumica e të cilëve përbëhen nga gra dhe fëmijë, teshat e të cilëve janë bërë të papërdorshme për shkak të përmbytjeve në çadra, natën e kaluan nën shi ose tek familjarët e tyre në kampet tjera.

Mohammad Hallaj, drejtor i Zyrës së Koordinimit të Reagimit Emergjent të Sirisë, e cila merret me studimin e të dhënave në Idlib, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) tha se shirat e dendur në Idlib dhe Halep kanë ndikuar mijëra civilë në 79 çadra.

Duke theksuar se për shkak të borës në disa kampe në veri të vendit shumë çadra kanë mbetur nën borë, ai paralajmëroi se “ekziston rreziku i ngrirjes në zonë”.

Ali Said, i cili u detyrua të zhvendoset para 3 vitesh për shkak të sulmit të regjimit të Bashar Al-Assadit në fshatin e tij në Hama tha se çadra e tyre ka mbetur nën ujë.

“Çadrat e 175 familjeve mbetën nën ujë. S’kemi asnjë shërbim në kampin tonë. Natën e kaluam me vështirësi. Ekipet e Mbrojtjes Civile, gjatë gjithë natës kulluan ujërat”, u shpreh ai.

Ai tha se në kampin ku jeton nuk ka infrastrukturë. “Shumë familje u strehuan në familjarët e tyre që jetojnë në kampet tjera. Familjet në kamp kanë nevojë për çdo lloj ndihme”, tha Said duke shtuar se veçanërisht kanë nevojë për çadra.

Gazal Yusuf tha se natën e kanë kaluar jashtë në këto kushte të vështira të dimrit. “Dy çadrat tona mbetën nën ujë. Nuk e di ku t’i lë fëmijët dhe çka të bëj”, tha ai duke shtuar se kanë nevojë për furnizimet thelbësore të jetës.

– Situata në Idlib

Turqia, Rusia dhe Irani, në takimin e zhvilluar në vitin 2017 në Astana vendosën formimin e 4 “zonave të deeskalimit” në territorin që nuk ndodhej nën kontrollin e regjimit të Asadit.

Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane dhe Rusia vazhduan sulmet dhe morën nën kontroll 3 zonat e tjera të mbetura nga 4 rajonet dhe u drejtuan drejt Idlibit. Edhe pse Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin, sulmet u intensifikuan sërish në maj 2019. Armëpushimi respektohet në masë të madhe pas marrëveshjes së re që Turqia siguroi me Rusinë më 5 mars 2020.

Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë për t’u larguar nga sulmet u detyruan të migrojnë në zonat pranë kufirit me Turqinë./AA