Ibrahimaj: Do çojmë deri në fund reformën madhore të Fiskalizimit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj theksoi sot se “mbështetja ndaj nismave të biznesit është gjithmonë pozitive dhe ndihmon në krijimin e një fryme bashkëpunimi që i shërben mbi të gjitha zhvillimit ekonomik të vendit”.

Në një reagim pas deklaratës së Presidentit Ilir Meta, ministrja Ibrahimaj tha se “kamuflimi si “mbështetje” ndaj biznesit i luftës politike ndaj qeverisë me insinuata që nxisin pasiguri, nuk ndihmon askënd dhe sigurisht cënon rolin kushtetues të Presidentit të Republikës. Por kjo nuk është diçka e re, fatkeqësisht”.

“Si ministre e Financave dhe Ekonomisë siguroi sot se qeveria shqiptare, mbetet e angazhuar për të çuar deri në fund Reformën madhore të Fiskalizimit, me qëllim mbledhjen e drejtë të taksave, reduktimin e evazionit fiskal, si dhe rritjen e të ardhurave”, tha Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se “për t’i ardhur në ndihmë biznesit, si dhe për zbatimin sa më të lehtë dhe korrekt të kësaj reforme transformuese, ndërmorëm dy shtyrje afatesh: Akti Normativ nr. 27(shtyrja deri në 1 janar 2022 ) dhe Akti Normativ nr.36 (shtyrja deri në 30.6. 2022 )”.

“I rikujtojmë me këtë rast Presidentit se në rrjedhjen e të dhënave për pagat, nuk pati asnjë cënim ndaj sistemeve të ngritura nga AKSHI, por vetëm një ndërhyrje individësh nga brenda, të cilët për qëllime ende nën hetim penal të thelluar, shpërdoruan detyrën e tyre”.
Sipas saj, lajmi i mirë është se drejtësia po bën punën e saj, duke dhënë një mesazh të qartë për këdo që luan me të dhënat e shtetasve”, tha ministrja e Financave dhe Ekonomisë.

Presidneti Meta deklaroi dje se mbështet nismën e Konfindustrisë për pezullimin e përkohshëm të procesit të fiskalizimit të detyrueshëm për bizneset, deri në dhënien e sigurive të plota teknike dhe ligjore nga shteti shqiptar për mbrojtjen e të dhënave tregtare të bizneseve.