I grabitën 15 mijë euro- Policia merr në pyetje miqtë e tij, kishin dijeni mbi paratë

Mbrëmjen e djeshme, katër persona  të armatosur i kanë ngritur pritë një të riu dhe nën kërcënim i kanë grabitur këtij të fundit 15 mijë eurot që i kishte me vete.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Burgajet të Burrelit, rreth orës 22:00.  Viktima D. Bushi po udhëtonte drejt shtëpisë së tij, në momentin kur ndodhi ngjarja, më pas ai ka bërë kallëzimin në Komisariatin e Matit.

Ai thotë se paratë e vjedhura, janë kursimet e tij nga puna që ka bërë në Gjermani. Këto para i dëmtuari i ka dërguar në llogarinë bankarë të një të afërmi, më pas ditën e djeshme ka tërhequr paratë dhe ka qëndruar me  dy miqtë  e tij në një bar duke pirë pije alkoolike.

Shtetasi në fjalë thotë se paratë do t’i përdorte për të rregulluar shtëpinë, e cila ishte e dëmtuar nga tërmeti.

Pas kallëzimit, policia ka marrë në pyetje edhe personat që kanë qenë me të, duke qenë se ata kanë qenë dhe në dijeni të parave. Ndërsa mësohet se deklarimet e tyre kanë qenë disi konfuze.

“Shtetasi D.B. është paraqitur në Komisariatin e Policisë Mat dhe ka bërë kallëzim, pasi pretendon se duke lëvizur me automjetin e tij, në fshatin Burgajet, e kanë ndaluar katër persona, të cilët dyshohet se i kanë marrë me forcë një sasi vlerash monetare, celularin dhe çelësin e makinës. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me specialistët e Hetimit të Krimit, po vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje”, deklaroi  Policia./apel.media