Gjatë atentatit që iu bë prokurorit të Durrësit, Arjan Ndojit, fatkeqësisht humbi jetën shoferi i tij.
Disa ditë pas vdekjes së Andi Maloku, familjarët e tij shprehen të pakënaqur nga qeveria. Përmes një interviste për gazetën Shekulli, Xhaxhai i 24 vjeçari, Bashkim Maloku është shprehur se ditën e ngjarjes nuk janë lejuar nga policia që të futen në spital.
Ndërkohë që ai tregon se si qëndron e vërteta e lajmeve që kanë qarkulluar në media lidhur me jetën e të riut.
“Kur ndodhi atentati ne e morëm vesh përmes djalit. Andi kishte folur me të atin në telefon dhe i kishte thënë “o babi na gjuajtën, jam plagosur. Andi nuk ka punuar asnjëherë efektiv policie, por media ka trilluar dhe me moshën ku thanë se ishte 34 vjeç. Që në moshën 16-vjeçare ka punuar kamerier, ndërkohë që ishte dhe në shkollë. Më pas ka mbaruar studimet për Menaxhim Turizëm dhe ka rreth dy muaj që kishte vazhduar punë me prokurorin si shofer i tij”,- tha xhaxhai i 24 vjeçarit.
Ndërsa për sa i përket vërejtjeve kundër policisë, Bashkim Maloku tregon se nuk i kanë lënë që të shikojnë familjarin e tyre dhe as për ta qarë në orët e fundit.
“E para, nuk ngritën postblloqe, por u morën me familjarët që ishin të spitali për t’i shoqëruar. Së dyti, te urgjenca e spitalit nuk na la asnjë që të shohim djalin, madje as prindërit e tij nuk i lënë që të hyjnë të shohin djalin. Ndërsa të nesërmen, një ditë pas atentatit, nuk kishte asnjë polic. Ishte fasadë. Dhe së fundmi, kur vdiq djali, e çuan në morg. Ndërsa morgun e rrethuan me policë. Nuk na lanë as për ta qarë në orët e fundit”,- u shpreh xhaxhai i Andi Malokut./apel.media