Historia rrënqethëse e Bleona Matës/ Trondit nëna: Policia ka shoqëruar 2 nga 5 vajzat, donin të më merrnin edhe djalin

Thuajse çdo shqiptar/e mbi të 20-tat, njihet prej kohësh me një nga historitë më tronditëse të rëmbimit të një fëmie në Shqipëri.

Bëhet fjalë për Bleona Matën, vajzën e bukur nga Kukësi që u rrëmbye në moshën 6-vjeçare, pasditen e 22 majit të vitit 2010, teksa kulloste bagëtitë në malin e fshatit Zapod të Kukësit. Policia dhe banorët e zonës kërkuan me orë të tëra nëpër mal, por nuk gjetën asnjë gjurmë të vajzës dhe që prej asaj dite nuk dihet asgjë rreth fatit të saj.

Në fillim dyshimet ranë mbi vajzat që e shoqëronin Bleonën atë ditë, mes tyre ishte dhe halla e 6 vjeçares. Pavarësisht dyshimeve të shumta mbi hallën, Qamile Mata, hetimet e policisë dhe prokurorisë nuk mundën të provonin asnjëherë se ajo bashkë me shoqërueset e tjera kishin djeni mbi ngjarjen.

Ndërkohë, historia që ka tronditur e përlotur mbarë opinioni publik është rikther sërish në vëmendje.

Nëna e vajzës, Bukurie Veizaj, e ftuar në emisionin “Pa gjurmë” ka treguar se dy prej vajzave që e panë për herë të fundit të miturën janë marrë sërish në pyetje nga Policia. Kjo pasi nëna e një prej tyre kishte lajmëruar se Bleona do të kthehej në shtëpi brenda tre ditësh.

Me lot në sy ajo kërkon që të vihen në përgjim telefonat e vajzave, pasi sipas saj vajzat flasin me orë të gjata duke shtuar se Qamilja (një prej vajzave) ka dashur të marrë edhe vëllain e Bleonës, të njëjtën ditë kur ajo u zhduk.

“Gentjana është drejtuar në shtëpinë e Zenelit dhe kanë dhënë këtë lajm. I kishte thënë se, sa të hapen kufijtë dhe Bleona do të vijë për tre ditë. Unë takova vjehrrin dhe më tha do të vij vajza. Por si mund të vijë vajza pa ditur se nga ku, prej kujt, asnjë informacion. Nuk ka mundësi të paraqitet dhe të trondisë familjen. Për mua Qamilja është përgjegjësja kryesore, që mori vajzën në mes të fshatit, pastaj ia la Gentjanës. Qamilja ka qenë në fshat këto kohë. Krimet e Rënda kanë reaguar. Pas këtij lajmi vajzat janë shoqëruar, edhe Qamilja edhe Gentjana, kaq dimë ne. Zeneli, gjyshi kërkon të denoncojë Qamilen dhe të bëjë gjithçka. Është një krim që fshihet afër dhe ne kërkojmë botën. Gentjana ka folur në telefon. Unë dyshoj se ka folur me Bleonën. Është dëgjuar nga persona të tretë teksa ka folur në telefon. Krimet e Rënda duhet të përgjonin telefonin. Ne jemi tronditur shumë sepse është diçka që ata e dinë dhe nuk po tregojnë. Krimi është në familje dhe nuk po zbulohet. Vajzat janë fis me babain e Bleonës. Aq afër dhe s’po mundemi t’i shohim fytyrën Ata telefonatat i bëjnë larg familjes. Janë parë nga banorët e zonës se Qamilja dhe Gentjana flasin gjatë ne telefon larg fshatit që të mos dëgjohen. Ata mund të flasin me vajzën dhe ne nuk dimë gjë. Halla e Bleonës thotë se Qamilja është ajo që din të vërtetën. Pasi ajo ia dorëzoi Gentjanës dhe kjo e fundit ia dorëzon sërish Qamiles. Është një rrjet i ngushtë. Të tregojnë të vërtetën vetëm kaq dua. Ngaqë ne e bëmë publike në televizor ata thotë se ishte ëndërr. Ata mund të kenë patur kontakt me vajzën prej 10 vitesh. Të vihen përgjues. Nuk janë përdorur mjete të tilla. Për momentin Qamilja ka përfunduar se ka qenë adoleshente. Pastaj vajzat kërkuan 6 orë më pas të mbyllen doganat. Si mundën të njoftonin kaq vonë ? Qamilja ka dashur të marrë dhe djalin. Momentin që Qamilja ka marrë vajzën, 5 metra pas saj e ka ndjekur një person me xhup me kapuç në kokë. Nëse një kafshë do ta kishte ngrënë do të kishte lënë një gjurmë, por aty nuk u gjet asgjë’, rrëfen nëna e Bleonës, Bukurie Veizaj,”– rrëfen nëna e brengosur.

APEL.MEDIA