Hiqen depozitat nga tarracat e pallateve- Veliaj : Të mësojmë nga historia

Këshilli Bashkiak i Tiranës, ka miratuar sot heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve. Ky vendim është marrë ndër të tjera edhe për arsye sigurie.

Bashkia e Tiranës, ka vendosur që të dërgojë një udhëzim që kërkon vendosjen e depozitave të ujit, në katet e para të ndërtesave. Kjo nevojë, për zhvendosjen e depozitave, ka ardhur si pasojë e situatës së krijuar pas tërmetit.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Erion Veliaj tha se Tirana duhet të mësojë nga ajo që ka ndodhur pas tërmetit.

“Ju propozojmë një vendim të Këshillit Bashkiak, ku Bashkia emeton për të gjithë administratorët e pallateve dhe banorët e Tiranës një udhëzim për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat. Një peshë e jashtëzakonshme mbi tarraca që është në mënyrë konstante rrezik për jetën, ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë, dhe nuk duam të jemi ata që nuk mësojmë nga historia, ne duhet të jemi ata që mësojnë nga historia. Lipset të bëjmë disa gjëra me këtë vendim të KB: Së pari, marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat, jo për t’i lënë pa alternativë, por që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët per të gjithë banorët; pra, jo secili të vetën”, tha Veliaj./apel.media