Hasan Bello: Faik Konica në Shqipëri

Në vitin 1926 Presidenti Ahmet Zogu emëroi si ministër të shtetit shqiptar në Washington Faik Konicën. Ai njihej si një nga shqiptarët më të kulturuar. Pavarësisht marrëdhënieve që ekzistonin mes tyre...
Hasan Bello: Faik Konica në Shqipëri
Foto: Hasan Bello: Faik Konica në Shqipëri

Në vitin 1926 Presidenti Ahmet Zogu emëroi si ministër të shtetit shqiptar në Washington Faik Konicën. Ai njihej si një nga shqiptarët më të kulturuar. Pavarësisht marrëdhënieve që ekzistonin mes tyre apo kritikave që Konica kishte botuar në gazetën “Dielli”, ai mbetej një personalitet që me formimin e tij do të përfaqësonte me dinjitet shtetin shqiptar.

Në recepsionet e diplomatëve në Washington, Faik Konica gëzonte respekt maksimal. Kjo pasqyrohet në relacionet e kohës, ku përfaqësues të shteteve perëndimore, përshkruajnë me vlerësim të lartë figurën e ministrit shqiptar.

Konsideratat e Konicës për A.Zogun, nuk ndryshuan edhe kur Shqipëria u shpall Monarki. Pas disa vitesh mërgim, në vitin 1929, ai erdhi për vizitë në Shqipëri. Zogu do ta presë me nderime të mëdha, me veturë në dispozicion, apartament luksoz në hotel “Kontinental”, hyrje-dalje çdo ditë në Pallatin Mbretnor etj. Sipas kujtimeve të një prej gazetarëve më të njohur, Zoi Xoxa, për aq kohë sa qëndroi në Tiranë, Konica merrte pjesë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, që mbaheshin nën kryesinë e Mbretit. Madje, ai tregon dhe një detaj, kur Konica e kishte thirrur në telefon, për tu takuar tek “Kontinental-i”. Pasi i shtrëngon dorën me përzemërsi dhe qesh me të madhe i thotë:

-Të uroj, se shpëtove nga një rrezik. E vërteta do të dilte medoemos në dritë; por për disa kohë mundet edhe të vuaje. Ndodhesha te Mbreti, kur erdhi ai sarhoshi, Iliaz Vrioni (ministri i Jashtëm), tërë nerva dhe i shqetësuar, me sytë gjak dhe duart që i dridheshin dhe i tha Mbretit se gjoja ti i kishte kërkuar 200 napolona ryshfet legatës italiane, përndryshe do ta ktheje gazetën kundër Italisë. Këtë legata italiane ia kishte bërë të ditur Ministrisë së Jashtme, me një notë verbale.

Mbeta pak si i habitur,-vazhdoi Faiku,-por menjëherë e mora me mend sesi qëndronte puna. E pyeta:
-A e lexuat mirë emrin?
-Si jo, fare mirë…
-Nuk është e mundur.
-Si nuk qenka e mundur?
-Nuk është e mundur jo vetëm se unë e njoh karakterin e tij, por edhe për një arsye fare të thjeshtë: “Gazeta e re” del në Tiranë. Kështu që edhe sikur të dojë, ai kurrë s`mund ta kthejë politikën kundër vijës së qeverisë, se të nesërmen kapet dhe arrestohet. Shiko se mos është ai i Rumanisë, që nxjerr “Shqipërinë e re”.

Mbreti që deri në atë moment nuk kishte thënë asnjë fjalë, i dha të drejtë Konicës. Kjo e detyroi Iliaz Vrionin që të merrte në telefon Ministrinë e Jashtme dhe pas pak minutash të kthehej me një shkresë. Ishte fjala për një tjetër gazetë e gazetar, Mihal Xoxen. Kjo bëri që Mbreti t`i tërhiqte vërejtjen ministrit të Jashtëm, se kështu mund të merrte njerëzit në qafë.

Me rastin e 28 Nëntorit, Zoi Xoxa do ti kërkoi Fak Konicës të shkruante një kryeartikull për “Gazetën e re”. Por megjith premtimin, ai nuk po e dorëzonte materialin në redaksi. Mbasditen e datës 27 nëntor 1929, Zoi Xoxa i telefonoi F.Konicës dhe i kërkoi me insistim se duhej të mbyllte gazetën, për ta dërguar në shtyp. Pas dhjetë minutash Faiku u shfaq në redaksi. U ul dhe nisi të bënte shaka. Kur Zoi i tha se po shkonte nga dhoma tjetër, që të shkruate i qetë, Konica u përgjigj se nuk i bënte përshtypje prania e tij. “U struka në një kolltuk dhe ndenja i menduar. Faiku po lozte me stilografin dhe po fërshëllente arien e nuk e di çfarë opere. Kujtova se po mendohej gjersa ti vinte frymëzimi dhe ti vinin idetë. Vazhdoi kështu, afro një orë, duke fërshëllyer. Kur ngriti kokën, më tha mbaroi. Këndoma ti një çikë”. Zoi mbeti i habitur sesi mund të shkruante njeriu me një nivel aq të lartë duke fërshëllyer.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri Faik Konica dha një intervistë shumë interesante. Në mënyrë konçize, ai jep përshtypjet për Shqipërinë. Një nga gjërat që i kishte bërë përshtypje, ishte gjuha e nënpunësve, e cila për arsye të komunikimit administrativ, po krijonte zhargonet e saj. Por mjeshtrit të publicistikës, kjo i vriste veshin.

  ***

“Një intervistë e zotit Faik Konica”

Ardhja e z.Faik Konitza në Tiranë, pas aq vjet mërgimi, ka kënaqur pa masë miqtë dhe dishepujt e tij të shumtë. Kjo duket sheshit po t’i bëjë njeriu vizitë në hotel “Kontinental”. Salloni i pritjes është plot me vizitonjës që vijnë e shkojnë. Këtu pamë llo-lloj njerëzish: ministra, asamblistë, zyrtarë, hoxhallarë etj. Të gjithë duan t’a shohin, të gjithë duam të shijojnë kulturën e tij të gjerë. Vetë shqipja e kthjelltë që del nga goja e tij, vizitonjësit edhe me pak shije artistike i mbush zemrën plot gëzim, duke gjetur një dëfrim për shpirtin e tij të lodhur nga e ashtuquajtura “gjuhë zyrtare”. Edhe ne deshëm t’i bëjmë një vizitë dhe t’i kërkojmë një intervistë. Po ku t’a gjejë kohën e duhur, i mjeri Faik? Vizitonjësit rrjedhin si breshëri.

Me gjithë këtë, duke përfituar nga miqësia e vjetër, ne i kërkuam një intervistë dhe Faiku, me fisnikërinë e tij të njohur, s’na e mohoj. Na caktoj një orë, po vizitat nuk pushonin dhe, midis një vizite dhe një tjetre, ne mbaruam intervistën t’onë.


Gazetari: Ardhja e Zotërisë s’Uaj në Shqipëri, pas kaq kohësh mërgimi, ka bërë bujë të madhe në qarqet politike të këtushme. Thuhet se Zotëria e Juaj kini qen’ i ftuar me një mision politik. Ç’munt të na thoni mbi këtë pikë Zotëria e Juaj?’

Konica: Është e zakonshme që kur bëhet një ndryshim politik me rëndësi, ose kur ka çështje me rëndësi politike të varura, kryetari i shtetit të thërresë për një çkëmbim mendimesh ca nga përfaqësonjësit diplomatikë të dërguar jashtë. Në rastin t’im është edhe arsyeja që kam patur nderin të kem qenë i afërm i Mbretit që më 1913 e gjer më sot, pothuajse pa reshtur veç një largimi tre vjetsh, dhe dëshiroj shumë që t’i paraqit Madhështisë së Tij respektet e mia me gojë.

Gazetari: Qysh ju priti Madhshtia e Tij Mbreti?

Konica: “Madhshtia e Tij më priti me një fisnikëri që më shtoj edhe më tepër nderimin që kam patur për karakterin e Tij.

Gazetari: Shqiptarët e Amerikës qysh e pritën proklamimin e Monarkisë në Shqipëri dhe hipjen në fron të Madhështisë së Tij Zogut të I-rë?

Konica: Përveç një grusht njerëzish të paguar nga Rusia me anë të zyrës bolshevike në Vienë, pritja e monarkisë në mes të shqipëtarëve t’Amerikës ka qenë përgjithërisht e pëlqyer. Mund që një pakicë patriotësh të kenë qenë, në nisje të ndryshimit, kundër, nga frika se mos dalin turbullime të rrezikshme për Shqipërinë. Po me të parë se ndryshimi ka prurë më tepër qetësi, më tepër stabilitet, më tepër siguri n’udhën e përparimit e të zhvillimit, ata të pakë patriotë të pakënaqur po bëhen dalëngadalë pasanikë dhe përkrahës të regjimit monarkik.

Gazetari: Marim vesh se shoqëria historike “Vatra” e ka humbur pak a shumë çkëlqimin e parë. Pas mëndjes s’Uaj cilat janë arsyet dhe qysh kujtoni të ngrihet prapë në shkallën e parë?

Konica: “Vatra” është gjith ajo që ka qenë, po është një gjë që të larkmit nuk e kuptojnë: pothuajse 95% nga anëtarët e “Vatrës” janë kthyer dhe ndodhen sot në Shqipëri. Ata të 5% që kanë mbetur atje nuk mundin natyrisht të kenë fuqinë morale dhe financiare që kishin kur ndodheshin n’Amerikë edhe të 95% shokë të tyre që u kthyen n’Atdhe.

Gazetari: Ç’përshtypje J’u bënë Shqipëria dhe shqipëtarët? Qysh besoni se mund të lartësohet populli ynë nga pikëpamja shoqërore dhe kulturale?

Konica: Shqipëria është gjith’ ay vend i pa-shoq që ka qenë. Hapni një penxhere në Tiranë, dhe hidhni një sy jashtë: Ku mund të ketë një natyrë më çuditërisht të bukur se sa brigjet e kaltëra që posi një varg safiresh dhe amethystesh të mëdha e rrethojnë Tiranën? Ku ka në botë një erë më të pastër e më të kthiellët? Sa për shqiptarët, m’u- duknë më të gjallë, më të lëvizur, më punëtorë se në kohët e shkuara. Është një gëzim të ndodhet këtu njeriu dhe të dëgjojë shqipen në gojë të popullit. Lavdi Perëndisë fletët dhe dokumentat zyrtare nukë kan’ arrijtur t’a prishin gjuhën. Zyrtarët do të kishin fitim të madh sikur të shkojin të enjten nj’a dy orë në pazar dhe të dëgjojnë se ç’gjuhë të shishme e të kthiellët flet populli i rretheve të Tiranës.

Gazetari: Mund të kini mirësinë Zotëria e Juaj të na thoni mbi problemet e gjuhës s’onë?

Konica: Pas detyrave zyrtare, një nga arsyet që më shtynë të vij këtu ka qenë edhe dëshira që kam patur të nxë gjuhën zyrtare të vendit. Për fat të zi këtë dëshirë nuk kam mundur t’a mbaroj, dhe shumë shkrime zyrtare mbeten edhe sot për mua si të fshehta, të pazbuluara. Për shembull, në një kartë zyrtare kam parë këto fjalë: “Ballafaqimi rrjeth vet-vetiu nga elementat”. Kjo e thënë e errët më ka munduar shumë kohë dhe jam përpjekur më kot që t’a kuptoj. Ç’është ballafaqimi? Le t’a zëmë punën me regull. Ç’janë “elementat” Elementat janë katër: Ujët, dheu, era, zjarri. “Ballafaqimi” pra duhet të rrjedhë nga një ose më tepër prej këtyre të katër elementave. Po vini re se vërtet rrjedh nga elementat, po rrjedh nga elementat “vet-vetiu”. Ashtu që, në thënçim, për shëmbëll, se “ballafaqimi” ka kuptimin lakër, na pengon fakti që lakërat nuk rrjedhin vet-vetiu, se i ka mbjellë dora e njeriut. Pas shumë mendimesh, përfundova se “ballafaqimi” do të ketë kuptimin “avulli”, dhe ashtu kemi këtë frazë: “Avulli rrjedh vetiu nga elementat”. I vetmi pengim këtu është se karta ku i gjeta fjalët misterioze s’ka të bëj aspak me diturinë fizike, po meret me politikë, dhe ashtu s’ka të ngjarë që i çkëlqyeri shkrimtar të ketë dashur të japë një mësim fizike. Me t’ardhur në Tiranë, një nga pyetjet e para që bëra është mbi kuptimin e “ballafaqimit”. Jo vetëm pyeta, po shtira dhe miq të bëjnë hetime. Një prej këtyre më pruri lajmin se një zyrtar i lartë i paska thënë: “Ballafaqimi është një nga fjalët më të bukura të shqipes, dhe ka kuptimin të qëndruarit ballë për ballë njëri me tjatrin”. Në qoft’ i drejtë ky shpjegim, ahere kuptimi i frazës do të jetë ky: “Të puthurit rrjedh vet-vetiu nga elementat, aforismë filosofike të cilën nukë munt asnjeri t’a kundërshtojë. Po ç’kërkon filozofia në mes të një shkrimi politik? Prandaj kam përsëri dyshime. Ndoshta nonjë nga këndonjësit e “Gazetës së Re” munt të më japë dritë.

Gazetari: Kur mejtoni të ktheheni në Washington?

Konitza: Në nj’a dy javë, pas ditës së Flamurit, do të kem leje prej Mbretit të nisem, dhe nga fundi i muajit do të dal nga Shqipëria të kthehem në postin t’im n’Amerikë.

Komenti i gazetarit: Përshtypja që na bëri Faiku qe ng’ ato më të çkëlqyerat. Ësht njeri me mendësi plotërisht të qytetëruar, i ngjeshur me kulturë dhe i pajisur me talent të hollë. I çveshur nga çdo paragjykim, Faiku flet kurdoherë me një ironi dhe me një të qeshur të këndshme.

Njeriu s’largohet dot prej tij. Ndonëse jemi të zënë me punë gjer në fyt dhe ndonëse i kemi vajtur shumë herë me radhë, ne do të kishim ndenjur pranë Faikut gjer sa t’a mërzitim po…. edhe të tjerët kishin të drejtë të çmalleshin me të”.

(Marë nga “Gazeta e Re”, e drejtuar prej z. Said Toptani dhe z. Zoi Xoxa, dhe rishtypur në “Dielli” më 4 dhjetor 1929)