Haradinaj: Të faturohet pazotësia për formimin e institucioneve

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i ka konsideruar si të çuditshme deklaratat e dy partive, që po pretendojnë të formojnë qeverinë.

Sipas tij, LDK e LVV nuk duhet të abuzojnë me situatën në vend.  Haradinaj shprehet se në rast se nuk arrihet një marrëveshje duhet të faturohet pazotësia për formimin e institucioneve.

Këtë koment Haradinaj e bëri në përgjigje të deklaratës së Albin Kurtit, i cili më herët shprehu se nëse dështon marrëveshja me LDK-në, vendi do të shkojë sërish në zgjedhje.

“Mendoj që duhet të bëhet kujdes, që mos të abuzohet me gjendjen në vend. Kosova është lavdëruar për zgjedhjet më të mira që i ka mbajtur. Është mirë të ndërtohen institucionet. Një qasje e tillë, imponuese ose kërcënuese ndaj njëri-tjetrit që dëgjojmë te partnerët potencialë të qeverisjes së ardhshme më duket e çuditshme. Unë kam krijuar qeveri dy herë më 2004 dhe 2017, e di se më është dashur të jem shumë i kujdesshëm të akomodoj palë, partnerë, parti politike. Mendoj që kushdo që është mandatar zyrtar duhet të bëjë kujdes për shkak se i faturohet pazotësia për t’i krijuar institucionet. Pra, nuk mund të shpëtosh pa dënimin që të jep populli nëse t’u ka dhënë mundësia që të krijosh institucionet, dhe nuk i krijon ato”, u shpreh Haradinaj./ apel.media