Hajdari: Kjo është arsyeja pse propozimi i socialistëve për listat është hileqar!

Deputetja Rudina Hajdari e cilësoi si super-kyç momentin ku ndodhet reforma zgjedhore pasi mund të vendoset se çfarë do të bëhet me listat e kandidatëve.

“Propozimi i PS-së është hileqar pasi në fakt kryefjalë ka se kryetari do të ketë gjithë peshën e vendosjes se kush do të jetë deputeti fitues dhe se kush do të shkojë në parlamentin e shqiptarëve,” –  u shpreh Hajdari për Ilva Now duke kujtuar se Kryeministri Rama pati deklaruar se kjo mënyrë e ndikimit në lista kishte përfunduar.

Deputetja Hajdari tha se vota parapëlqyese bie ndesh me ndikimin që i mbetet në propozimin e socialistëve për të caktuar dhe renditur kandidatët.

Hajdari tha se prej 30-viteve ajo që ka ndodhur në Shqipëri është vendosur nga tre njerëz, ndërkohë që sot jemi në një rast të veçantë.

“Kemi dy kryetarë partish që janë pro hapjes së listave dhe një kryetar që është në qeveri që kërkon të mos i ndryshojë. Nëse ai do t’i mbajë të mbyllura t’i mbajë, por mos t’ia bëjë taksative partive të tjera,” – theksoi Hajdari.