Habit kandidati i primareve në PD: Nuk do lejoj që në Bashkinë e Tiranës të valëvitet flamuri i LGBT

Fatmir Merkoçi, themelues i PD-së dhe kandidat në garën e primareve brenda Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, thotë se nëse zgjidhet kryetar i bashkisë së kryeqytetit nuk do të përkrahë komunitetin LGBT.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Merkoçi ka deklaruar se nuk do të lejojë që në Bashkinë e Tiranës të valëvitet flamuri i LGBT.

Fatmir Merkoçi: Ajo që është kryesorja, do të bëj që, në qoftë se deri më sot kam kërkuar që individuale dhe permanente minimumin jetik, po të jem kryetar bashkie do ta kërkoj në mënyrë institucionale sepse nuk mund të pranoj që një qytetar i qytetit tim të marri 4 mijë Lekë të vjetra asistencë, dhe ajo që është më kryesorja, duke qenë se i përkas të djathtës konservatore, nuk do lejoj në mënyrë kategorike që të valëvitet apo të vendoset flamuri i LGBT-së në Bashkinë e Tiranës.

Blendi Fevziu: Nuk do të lejosh?

Fatmir Merkoçi: Jo! Unë i besoj dhe i falem Zotit, kombit dhe familjes. Për këto 3 gjëra nuk e diskutoj fare, të gjithë më njohin dhe e dinë shumë mirë, qoftë të majtë apo të djathtë, që jam njeriu më i pakorruptueshëm në këtë vend. Nuk shkel mbi parimet, nuk shkel mbi varrin e të parëve, nuk shkel mbi gjakun tim që e kam derdhur në mes të Tiranës, nuk shkel mbi vuajtjet dhe sakrificat e popullit të Tiranës.