Aplikimet e shqiptarëve për azil në Greqi do të refuzohen pasi Shqipëria është përfshirë nga autoritetet greke në listën e vendeve të sigurta.
3053 shtetas shqiptarë paraqitën gjatë vitit 2019 aplikimin për azil. Sipas të dhënave të Shërbimit grek për Azilin shtetasit shqiptarë renditen të pestët për nga numri i kërkesave pas shtetasve nga Siria, Afganistani, Pakistan dhe Iraku. Por shtetasit shqiptarë renditen të dymbëdhjetët për nga njohja e azilit, me vetëm 0,2 % të numrit të përgjithshëm të aplikimeve.
Të dhënat zyrtare greke tregojnë se shqiptarët paraqitën 2135 ankimime gjatë viti 2019 ndaj mosnjohjes së azilit nga autoritete greke, ndërsa një pjesë e rasteve mbeten ende të pashqyrtuara.
Të dhënat e Qendrës greke për Azilin flasin se vit pas viti numri i azilkërkuesve shqiptarë është rritur në Greqi. Sipas të dhënave zyrtare greke në vitin vitin 2013 shënoheshin vetëm 419 kërkesa për azil, ndërsa në vitin 2018 ky numër u rrit ndjeshëm dhe shkoi në 3319 kërkesa. Fillimin e këtij viti qeveria greke e përfshiu Shqipërinë në listën e 12 vendeve të sigurta. Vendimi u mor mbi bazë të udhëzimeve të Komisionit Europian dhe ndër vendet e tjera në listë ishin edhe Gjeorgjia, Ukraina, Maroku, Algjeria, Tunizia, etj./apel.media