Goditet grupi shqiptaro-grek i trafikut të drogës në Spanjë, arrestohen 8 persona

Tetë persona, pjesë e një organizate kriminale me origjinë shqiptare dhe greke janë arrestuar nga Garda Civile pas një operacioni kundër trafikut të drogës në Malaga, Spanjë.

Operacioni ‘Klithma’ i Gardës Civile, goditi grupin kriminal i cili kultivonte marijuanë të brendshme në shtëpitë në provincën e Malaga.

Hetimi filloi pasi agjentët ranë në gjurmët për ekzistencën e një shtëpie të izoluar në qytetin Torrox ku mund të kishte një plantacion të marijuanës brenda. Pas disa pyetjeve, ata zbuluan se rreth shtëpisë kishte lëvizje të çuditshme të njerëzve që hynin dhe dilnin nga ferma me automjete të ndryshme me qira.

Si rezultat i operacionit janë sekuestruar edhe një mijë bimë marijuanë, 3 automjete, dokumentacione dhe materiale të ndryshme për kultivimin dhe përpunimin e lëndës narkotike.

Të arrestuarit iu dërguan autoritetit gjyqësor, i cili caktoi masën arrest me burg për të gjithë ata.