Gledis Nano takim me delegacionin e lartë të Guardia di Finanzas: Bashkëpunim për rritjen akoma më shumë të forcës goditëse ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka zhvilluar një takim me delegacionin e lartë të Guardia di Finanzas, të kryesuar nga Gjeneral Brigade Giuseppe Arbore, drejtues i Repartit I...
Gledis Nano takim me delegacionin e lartë të Guardia di Finanzas: Bashkëpunim për rritjen akoma më shumë të forcës goditëse ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike
Foto: Gledis Nano takim me delegacionin e lartë të Guardia di Finanzas: Bashkëpunim për rritjen akoma më shumë të forcës goditëse ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka zhvilluar një takim me delegacionin e lartë të Guardia di Finanzas, të kryesuar nga Gjeneral Brigade Giuseppe Arbore, drejtues i Repartit III të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanzas.

I pranishëm në takim edhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, SH.T.Z. Fabrizio Bucci.

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm dhe domosdoshmëria për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim.

Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano: “Mirënjohje për punën e shkëlqyer që ekipi juaj po bën në Shqipëri, për monitorimin ajror, që ka si qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Ju falënderoj për bashkëpunimin e deritanishëm dhe ju shpreh gatishmërinë dhe vullnetin tim personal dhe të Policisë së Shtetit, për forcimin e këtij bashkëpunimi, pasi lufta kundër kultivimit të kanabisit është një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare dhe një sfidë personale e imja si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për ta luftuar deri në zhdukje këtë paligjshmëri, ndaj kërkoj me shumë sinqeritet mbështetjen dhe bashkëpunimin tuaj. Vlerësoj punën e përfaqësuesve të Interforcës në Shqipëri, për koordinimin e veprimeve dhe shkëmbimin e informacionit në kohë, për parandalimin dhe goditjen e tentativave për trafiqe të paligjshme”.

Drejtuesi i Repartit III të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanzas, Gjeneral Brigade Giuseppe Arbore, në emër të delegacionit, i ka uruar Drejtorit të Përgjithshëm Gledis Nano, suksese në detyrën e re dhe i ka ofruar mbështetje për realizmin e prioriteteve në interes të të dy vendeve.

Giuseppe Arbore: “E vlerësoj shumë dëshirën dhe vullnetin tuaj për të bashkëpunuar dhe në përgjigje të kërkesës suaj, pa hezituar, menjëherë ju ofroj që një përfaqësues i Policisë së Shtetit të vendoset në komandën e përgjithshme të Guardia di Finanzas, gjë që do të sjellë koordinim dhe bashkëpunim më efikas mes Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanzas”.

Drejtuesi i Departamentit të Koordinimit të Informacionit dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Komandës së Përgjithshme, Gjeneral Brigade Cosimo di Gesu i ka ofruar Drejtorit të Përgjithshëm Gledis Nano, mundësinë që oficerët e Policisë shqiptare të kryejnë trajnime të ndryshme në Shkollën e Policisë Ekonomiko-Financiare të Guardia di Finanzas.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, SH.T.Z. Fabrizio Bucci vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes Policisë së Shtetit dhe asaj italiane, duke premtuar një mbështetje akoma më të madhe të Policisë italiane dhe të ambasadës italiane, për Policinë e Shtetit.

Në takim u ra dakord që në muajin nëntor të zhvillohet një konferencë e përbashkët për të bërë prezente rezultatet e arritura përgjatë vitit 2021 në kuadër të monitorimit ajror për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Fotografia e Policia e Shtetit