Gjyqtari ngatërron Rrocën me Abazajn dhe i jep të kuq. Kërkohet përsëritja e ndeshjes

Një episod shumë i veçantë ka parë protagonist këtë javë në kampionatin turk futbollistët shqiptarë të Istanbulspor. Ndeshja që ata kanë humbur 1-0 ndaj Samsunspor është shoqëruar me polemika të shumta si pasojë e një vendimi të gabuar të gjyqtarit të sfidës, i cili ka ngatërruar Kristal Abazajn me Eduard Rrocën duke i nxjerrë kartonin e kuq këtij të fundit.

Në minutën e 90 të sfidës, gjyqtari ndali lojën për një faull në mesfushë dhe pasi i tregoi të verdhin Rrocës, i tregoi ëdhe të kuqin, duke i bërë të ditur se i kishte dhënë edhe më parë të verdhë. Por në fakt ai ia kishte treguar atë Kristal Abazajt në minutën e 59 të sfidës. Pavarësisht protestave, Rroca u largua me karton të kuq dhe ndeshja vijoi për minutat e mbetura, duke u mbyllur me fitoren 1-0 të Samsunspor.

Klubi i Istanbulspor ka reklamuar jo vetëm kartonin e kuq të Rrocës, por edhe rezultatin e ndeshjes, duke e cilësuar një gabim të rëndë të gjyqtarit kryesor, i cili në fushë u kishte thënë lojtarëve se do u tregonte protokollin për kartonin e parë të verdhë të Rrocës. Duke e cilësuar gabim teknik, klubi kërkon ripërsëritjen e ndeshjes në fjalë dhe sigurisht anullimin e pezullimit të Rrocës, i cili është një nga lojtarët kyç të klubit që synon ngjitjen në Superligën turke.