Gjykata: Të hënën përpjekja e fundit për t’i njoftuar vendimin ish-kryeministrit

Gjykata e Posaçme do të bëjë një përpjekje të fundit të hënën për të njoftuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe avokatët e tij mbi vendimet e shpallura ndaj tij prej datës 20 tetor kur u shpall verdikti i parë i masës “Detyrim paraqitje”, e më pas vendimi në mungesë ku ish-funksionari u mbrojt nga një avokat falas.

Cilido qoftë rezultati që mund të jetë marrje dijeni për vendimin apo refuzim, lëvizja e fundit e gjykatës që do të kryhet përmes ftuesve pritet të pasohet me dërgimin e ankimimeve të pjesshme në Gjykatën e Apelit.

Por ndërkohë nga depozitimi i ankimimit të pjesshëm i mbrojtjes që këmbëngul se nuk e ka marrë vendimin e zbardhur, prej 12 ditësh dosja ka ngecur në sekretarinë e gjykatës së shkallës së parë antikorrupsion.

Gjykata nuk mundet ta përcjellë në apel, pa shteruar dhe veprimin e fundit që në rast refuzimi do të nisë numërimi mbrapsht i pesë ditëve të tjera.

Kjo do të thotë se mes insistimeve seri  për ta njoftuar dhe refuzimeve të vazhdueshme nga Berisha, mundësitë janë që deri në datën 20 nëntor dosja të qëndrojë e ngrirë pra as në apel dhe as në shkallën e parë.