Gent Ibrahimi: Kreu i Prokurorisë së Posaçme do të  vlerësohet mbi 7 kritere

Gent Ibrahimi, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, tha sot para mediave se me 18 dhjetor kandidatët për kryetarë të SPAK do të zhvillojnë seancën dëgjimore. Kjo seancë do të zhvillohet po me të njëjtin format siç janë zhvilluar edhe seancat dëgjimore për postin e kryeprokurorit.

Ndërsa kandidatët, që do të kandidojnë janë Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili. Nga ana tjetër, Ibrahimi thotë se vlerësimi i kreut të SPAK do të bëhet përmes 7 kritereve, profesionale edhe morale.

“Dosjet e tyre janë në këshill. Seancat dëgjimore do të zhvillohen me 18 dhjetor dhe do të jenë publike, besoj do të jetë njësoj si me prokurorët e përgjithshëm. Do t’i vlerësojmë këto kandidatë mbi 7 kritere. Ne kemi marrë një vendim në bllok për këta prokurore kanë shërbyer tek Krimet e Rënda. Me datën 19 do të fillojnë punë  tetë prokurorët që kemi zgjedhur. Kur bëhet fjalë për ristrukturim nuk shohim kërkesat e prokurorëve, por nevojat e sistemit. Nevojat më të mëdha janë më shumë në Tiranë, por edhe në Durrës ka probleme. Problemet në Tiranë janë më të mëdha. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë ligjërisht si prokurori karriere. Jo të gjithë kanë shkuar në SPAK. Në datë 20 nuk do ketë as Gjykatë dhe as Prokurori të Krimeve të Rënda. Vendimet tona hyjnë në fuqi me datën 19″-tha  Ibrahimi.

Gazetarët gjithashtu pyetën kreun KLP-së se cili është roli i këtij institucioni në hetimet mbi banesat e shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës, Gent Ibrahimin dha këtë përgjigje: “Do ju duhet të mësonin  me ndarjet e reja dhe të përgjegjësive të prokurorisë. Ky këshill është shumë distant me rastin konkret. Ato janë kompetencat e kryeprokurorit”- tha kreu i KLP-së./apel.media