Gazmend Bardhi: Spektakli  në Thumanë, nuk e shpëton dot Kryeministrin nga përgjegjësia morale, politike dhe penale.

Gazment Bardhi, Sekretari i Përgjithshëm i  Partisë Demokratike, i ka konsideruar takimet e Edi Ramës me banorët e zonave të prekura nga tërmeti si shfaqje spektakli.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka shprehur indinjatën e tij në lidhje me kthimin e Ramës në Thumanë pa dhënë llogari për 24 jetët e humbura.

Ndër të tjera ai shkruan se Edi Rama është i detyruar të zbardhë për shqiptarët, përmbajtjen e akteve të konstatimit për dy pallatet e shembura me 26 Nëntor. Bardhi i  ka  bërë thirrje Prokurorisë që të veprojë  në mënyrë imediate.

Postimi i plotë:

Spektakli i shëmtuar i Edi Ramës në Thumanë me shtëpitë që i ka detyrim ligjor për t’i ndërtuar është i papranueshëm dhe nuk e shpëton dot atë dhe bashkëpunëtorët e tij nga përgjegjësia morale, politike dhe penale.

Ai është kthyer në vendin e krimit shtetëror pa dhënë llogari për humbjen e jetëve të 24 njerëzve të pafajshëm. Në javën e tretë pas tërmetit, Edi Rama hesht për përgjegjësitë direkte të Komitetit të Emergjencave, të drejtuar prej tij dhe të Bashkisë së Krujës, përse banorët e pallateve të shembura në Thumanë u lejuan të jetojnë aty pas tërmetit të 21 Shtatorit.

Edi Rama është i detyruar t’u thotë shqiptarëve çfarë përmbanin aktet e konstatimit për dy pallatet e shembura me 26 Nëntor, çfarë masash u morën dhe kush i lejoi banorët të futeshin në pallate të pasigurta pas 21 Shtatorit.

Prokuroria duhet të veprojë menjëherë!/apel.media