Gati për realizimin e projektit të rijetëzimit të vendit ku është zhvilluar beteja e Mashkullorës në 1908 nga çeta e Çerçiz Topullit

Nga Marin Mema

Hauri ku u vendos kjo betejë ka mbetur në këtë gjendje, ndërsa lapidari është shkatërruar plotësisht. Asnjë gjurmë nuk flet për këtë përballje ku Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Zeman Mashkullora, Hito Lekdushi, Hajredin Tremishti e trimat e tjerë bën histori.

Projekti synon jo vetëm rikonstruksionin e haurit, por edhe ngritjen e lapidarëvë për secilin nga trimat, vendosjen e një bazoreliefi, ndërtimin e një sheshi në pjesën e poshtme me gurë të vendit dhe të rrethuar nga rrepër, vendosjen e një flamuri me përmasa të mëdha dhe elementë të tjerë që do ta kthejnë këtë vend në nje pikë ku historia do të flasë me të vërtetat e saj.

Tashmë presim vetëm miratimin e lejes nga Bashkisë Gjirokastër.

Është e dhimbshme që sot 106 vjet nga vrasja e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit nga malazezët në Fushën e Shtojit pranë Shkodrës autoritetet nuk kujtohen për një nderim të denjë. Është e pafalshme.

Ky do të jetë sigurisht vetëm një projekt i parë sepse të tillë do të vijojmë kudo.

Kemi nevojë të kujtojmë, ndjejmë, njohim, respektojmë figurat tona kombëtare, historinë tonë !