G-20 angazhohet të ndihmojë për të lehtësuar krizën humanitare në Afganistan

20 ekonomitë më të mëdha të botës shprehën vendosmërinë për të trajtuar krizën humanitare në Afganistan, edhe nëse kjo do të thotë se do t’i duhet të koordinojnë përpjekjet me talebanët, tha Kryeministri italian Mario Draghi të martën pas një takimi urgjent të nivelit të lartë.

Që kur talebanët pushtuan Afganistanin më 15 gusht – i cili po përballet me thatësirën dhe varfërinë e rëndë pas dekadash lufte – ekonomia e këtij vendi është rrënuar, duke rritur rrezikun për një eksod refugjatësh.

“Në thelb ka pasur një përputhje pikëpamjesh mbi nevojën për të marrë masa për urgjencën humanitare,” u tha zoti Draghi gazetarëve në fund të një video -konference.

Presidenti amerikan Joe Biden, kryeministri indian Narendra Modi dhe shumë udhëheqës evropianë morën pjesë në takimin virtual, por presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin nuk u thirrën, duke lënë të kuptohet se ka qëndrime të ndryshme ndërkombëtare për këtë çështje.

Zoti Draghi tha se mungesa e dy udhëheqësve nuk e uli rëndësinë e takimit të organizuar nga Italia, presidentja aktuale e G20-ës.

“Kjo ishte përgjigja e parë shumëpalëshe ndaj krizës afgane. Multilateralizmi po kthehet, me vështirësi, por po kthehet,” tha kryeministri Draghi.

Pjesëmarrësit ranë dakord lidhur me nevojën për të zbutur krizën në Afganistan, ku bankave po u mbarojnë paratë, nëpunësit civilë nuk janë paguar dhe çmimet e ushqimit janë rritur, duke lënë miliona vetë të rrezikuar për t’u prekur nga uria.

Pjesa më e madhe e përpjekjeve të ndihmës do të kanalizohen përmes Kombeve të Bashkuara, por do të ketë edhe ndihmë të drejtpërdrejtë nga vende të ndryshme, pavarësisht refuzimit nga shumica e shteteve për të njohur zyrtarisht qeverinë e ashpër të talebanëve.

“Është shumë e vështirë t’i ndihmosh njerëzit në Afganistan pa angazhuar talebanët. por kjo nuk do të thotë t’i njohësh ata,” tha zoti Draghi.

Ai tha se talebanët do të gjykoheshin sipas veprimeve, jo sipas fjalëve, dhe se bota ishte veçanërisht e shqetësuar për gjendjen e grave në Afganistan.

“Për momentin nuk shohim përparim,” tha zoti Draghi.

Shtëpia e Bardhë tha se udhëheqësit kishin diskutuar mbi “nevojën kritike për t’u përqendruar tek përpjekjet e qëndrueshme kundër terrorizmit, përfshirë kundër kërcënimeve nga ISIS-K.”

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, udhëheqësit e G20-ës u bënë thirrje talebanëve të luftojnë grupet militante që veprojnë jashtë vendit. Ata thanë se programet e ardhshme humanitare duhet të përqëndrohen tek gratë dhe vajzat dhe se atyre afganëve që dëshirojnë të largohen nga vendi duhet t’u garantohet kalimi i sigurt.

Përpara takimit, Kina kërkoi që të hiqen sanksionet ekonomike ndaj Afganistanit dhe që miliarda dollarë të pronave ndërkombëtare afgane të zhbllokohen dhe t’i kthehen Kabulit.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania, ku po mbahen shumë prej pasurive, po i rezistojnë kësaj përpjekjeje dhe kjo çështje nuk u përmend në deklaratën përfundimtare.

Takimi i së martës vjen më pak se tre javë para takimit zyrtar të udhëheqësve të G20 në Romë më 30-31 tetor, i cili do të përqëndrohet në ndryshimet klimatike, rimëkëmbjen ekonomike globale, trajtimin e mungesave ushqimore dhe pandeminë COVID-19.