Futbollisti i Barcelonës, Pedri fiton çmimin prestigjioz “Golden Boy”

Futbollisti i Barcelonës, Pedri (18) është fitues i çmimit prestigjioz të futbollit “Golden Boy” për vitin 2021.

“Pedri ka fituar çmimin ‘Golden Boy’! Urime Pedri!”, ka postuar Barcelona në Twitter.

Në një njoftim në faqen e Barcelonës thuhet se spanjolli mori 318 vota dhe la pas Jude Bellingham nga Borussia Dortmund, i cili grumbulloi 119 pikë.

“Jam i nderuar që fitoj çmimin ‘Golden Boy’. Dua të falënderoj të gjithë që më kanë mbështetur këtë vit”, tha Pedri.

E filluar në vitin 2003, çmimi “Golden Boy” çdo vit nga gazeta sportive italiane “Tuttosport” i jepet lojtarit më të mirë të Evropës nën 21-vjeç. Mesfushori i Barcelonës do ta marrë çmimin në një ceremoni që do të mbahet në Torino të Italisë më 13 dhjetor.

Pedri luajti 73 ndeshje në të gjitha garat për Barcelonën dhe kombëtaren spanjolle në sezonin 2020-21, përfshirë EURO 2020 dhe Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Erling Haaland, ylli norvegjez 21-vjeçar nga Dortmundi, ishte fituesi i çmimit 2020. Fituesit e çmimeve të mëparshme përfshijnë, Wayne Rooney, Lionel Messi, Sergio Aguero, Paul Pogba, Raheem Sterling dhe Kylian Mbappe.