Frrok Çupi: Meta-Berisha, gati të formojnë ISIS në Shqipëri për të shpëtuar veten

Gazetari dhe analisti Frrok Çupi, ka reaguar mbi turet e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe mbështetjen që ka marrë nga presidenti. Në një intervistë televizive, ai u shpreh se presidenti Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë gati që të formojnë edhe ISIS në Shqipëri për të shpëtuar veten.

“Ka një president që i shkon pas Sali Berishës, ne jemi të fyer të gjithë. Berisha është një nga njerëzit më të akuzuar në botë, kur të hapet pakoja e madhe, do shohim monstruozitete. Këta janë gati të krijojnë një ISIS bashkë me Berishën”, tha Çupi.

Ndër të tjera, analisti u shpreh se Berisha ka zgjidhur qesen e parave për simpatizantët e tij dhe mediat pranë tij. Ai theksoi, se Berisha është shpallur si i korruptuar i nivelit të lartë. “Basha ka qëndruar nën hijen e Berishës deri tani, ka një pjesë të madhe të sëmundjes së tij me vete. Saliu gjithë kohën ka qenë realisht kryetar i PD. Tani kemi zëvendësuesin që rebelon, sepse njerëzit duan “babën”.

Të mos harrojmë se Berisha është shpallur i korruptuar i nivelit të lartë. Janë zgjidhur dhe qeset e parave. Po derdhen shumë para nga Berisha, për televizionet, militantët dhe ata që shajnë në Facebook. E mira është se pak nga paratë e grumbulluara, po shkojnë për njerëzit”, tha Çupi.

Çupi: Berisha e ka përdorur PD

Ndërkohë, përmes një shkrimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se Berisha e ka përdorur Partinë Demokratike si një “trap” për të përmbushur qëllimet e disa politikanëve, të cilët ndër vite e kanë shtënë në dorë. Ai theksoi, se Berisha e përdori partinë edhe për të shpëtuar familjen e tij dhe ata të cilët i shkojnë pas. “PD ka shërbyer si “trap” për të kaluar lumin turli batakçinj e kriminelë gjatë gjithë jetës së vet.

A e keni pikasur ndonjëherë me këtë pamje?! “Trapin” e ka marrë vetë Sali Berisha. Ai erdhi në PD si i dërguar i Politbyrosë komuniste, por mori “trapin” që të kalonte ujërat e veta dhe të disa të tjerëve. E rrënoi atë vegël të vjetër që e vuri vetëm e vetëm në shërbim të vetes dhe familjes së tij, dhe ja ku po e merr prapë sot.

Me atë mjet që u bë aq i neveritshëm që nga vitet 1996 e ‘97, pa pikë droje, Berisha kaloi mbi lum e mbi dete korrupsionin gjigant të tij e të familjes, me atë trap iu sul kundërshtarëve brenda PD dhe më në fund po me atë trap kërcënon vetë nëndetëset e Amerikës. Tani mbi atë vegël copë-copë ka vënë menderet dhe shkon andej këndej kinse për foltore”, tha ai. Ndër të tjera, analisti u shpreh, se Berisha e përdori PD si një “trap”, në vitin 1997 për të shpëtuar të gjithë ata që i vunë flakën vendin.

Ai theksoi, se ish-kryeministri lëshoi 700 pasaporta biometrike, fakte të cilat ndodhen edhe në arkiva. “Në vitin 1997, PD u përdor për të kaluar përtej detit fajtorët e mëdhenj të gjakosjes së popullit, të vrasjes së qindrave, autorët e planit për ta kthyer vendin në tokë të djegur. Berisha, vuri në atë “trap” 700 vetë. Në arkiva ndodhen firmat e Berishës që ka lëshuar 700 pasaporta diplomatike për të kaluar në Perëndim të gjithë ata që i vunë flakën vendit”, tha ai.