Floriana Garo kritika ndaj Bashës: Gjithçka në parti bëhej mes kryetarit dhe njerëzve të tij të afërt

Floriana Garo ishte risia e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, pasi Lulzim Basha e zgjodhi si zëdhënëse të partisë.

Në emisionin “Opinion” Garo e ka kritikuar kryedemokratin, pasi u shpreh se në PD ka vënë re se gjithçka bëhej nga kryetari dhe njerëzit e tij të afërt.

Ajo tregoi se pas humbjes së zgjedhjeve nuk ka marrë as edhe një telefonatë nga Basha, ndaj kjo i është dukur shumë e çuditshme.

“Unë vij nga një familje që ka votuar PS-në. Unë kam krijuar bindjet e mia dhe bindjet e mia janë kthyer djathtas. Me dëshirën për ndryshim unë erdha për të dhënë kontributin tim. Në eksperiencën time në PD kam vënë re një mbyllje, kam vënë re se gjithçka do ishte mes kryetarit dhe njerëzve të tij shumë të afërt. Kisha idenë se gjërat do bëheshin më shumë në ekip, por kam vënë re një mbyllje. Nuk më është dukur normale, unë nuk kam patur asnjë lloj “feedback-u” pas fushate. Asnjë telefonatë, më është dukur shumë e çuditshme. Asgjë, dhe mendova që ishte fillimi dhe e lashë kohën të kalonte, por sërish asgjë”, tha Garo.