Flamur Noka për kaosin e shkaktuar në Parlament/ “S’ka Kuvend po nuk u respektua opozita”

Deputeti Flamur Noka ishte i ftuat ne emisjonin “Kjo Javë”ne News 24.
Ai ka folur për kaosin që u shkaktua në Parlament ditën e enjte në seancën plenare, pasi nuk u pranua kërkesa e PD për ndryshimin e rendit e ditës dhe të flitej për çështjen e McGonigal.

Noka tha se situata u krijua pasi opozitës nuk i jepet fjala dhe se u hiqet e drejta për të folur. Ai tha se për sa kohë që opozitës do t’i bllokohet fjala e nuk do të respektohet, nuk mund të lejohet një Parlament fake.

“Ka kohë që në Shqipëri Parlamenti nuk përfaqëson atë që duhet të përfaqësojë në demokraci normale. Ka të paktën 2 vite që opozitës bëhet gjithçka t’i ndërpritet zëri e të mos i jepet e drejta për të mbrojtur problematikat, për çka jemi zgjedhur.

Ndodhi megaskandali ndërkombëtar, opinioni amerikan i shokuar, mediat botërore të alarmuara, në Shqipëri vijohet të trajtohej në Parlament sikur nuk kishte ndodhur asgjë.Një megaskandal ku gjithë bota ziente, kërkuam të ndryshonte axhenda sepse kryeministri ynë ishte kapur në flagrancë duke korruptuar zyrtarin e agjencisë më të fuqishme të botës për sigurinë. Shpresuam që duhet të kishte alarm dhe duhej kthyer në mega axhendën e çdo Parlamenti.

Me urdhër, kukulla barbi që drejton seancat, mori urdhër që kjo të mos bëhej dhe një seancë që do zgjaste 24 orë zgjati 24 minuta. Parlamenti po s’ju kthyer normalitetit e po nuk u respektua opozita, fake parlament nuk mund të ketë.

Pas këtij megaskandali që tronditi botën dhe shokoi agjencitë e sigurisë të SHBA, Shqipëria s’mund të pranojë të drejtohet nga një hajdut e një korruptues”, tha Noka në “Kjo Javë”.