“Fitore me çdo kusht”/ Reja cakton objektivat e dy ndeshjeve zyrtare

Trajneri i Kombëtares Shqiptare flet për tre sfidat e muajit qershor me Islandën, Izraelin dhe Estoninë, listën e 26 emrave të thirrur prej tij në skuadër, mungesat, rikthimet dhe ambicjet e skuadrës kuqezi. Nga Durrësi ku po grumbullohet skuadra Edoardo Reja komentoi fillimisht zgjedhjet e bëra dhe ndeshjet e Ligës së Kombeve.

“Presim ndeshje me nivel të lartë sepse janë ndeshje shumë të rëndësishme sepse duam të fitojmë grupin me çdo kusht. Në ndeshjet e muajit mars skuadra ishte në gjendje shumë të mirë. Duhet të vazhdojmë kështu dhe të jemi sa më mirë në aspektin fizik pasi ky është problem më i madh me të cilin mund të përballemi. Ata që do të jenë në fushë duhet të jenë në gjendjen më të mirë të mundshme për të marrë maksimumin nga këto dy ndeshje.

Duhet të jemi shumë të përqëndruar dhe ky është një detaj shumë i rëndësishëm sepse unë kam në dispozicion një skuadër me shumë nivel dhe lojtarë që janë gati. Kam bindjen se të gjithë do të luajnë në maksimum. Më duket se jemi në formë të mirë psikologjikisht.

Duhet të bëjmë shumë kujdes edhe në aspektin taktik dhe teknik. Mund të kemi edhe ndonjë mungesë por do të bëjmë një analizë me të gjithë skuadrën në dispozicion. Është shumë e rëndësishme që të përdorim kokën dhe të jemi të përqëndruar.

Kemi sulmues shumë në formë që shënojnë me skuadrat e tyre por ekipi duhet të jetë në ekujlibër. Duhet pasur shumë kujdes në të gjitha repartet sepse duhet të mendojmë edhe për mbrojtjen. Ndeshjet nuk fitohen vetëm më sulmin. Duhet të jemi të fokusuar në të treja repartyet për të marrë rezultate maksimale”.

Reja ndalet më pas edhe te disa emra të veçantë;

“Strakosha po kalon një moment të vecantë sepse është në kërkim të një kontrate dhe më ka kërkuar që të mungojë për këto dy ndeshje. Është në kërkim të një ekipi dhe nuk ka vendosur ende prandaj mund të them që ishte kërkesa e tij. Nuk dua ta komplikoj edhe më shumë situatën e tij por ne kemi në përbërje tre portierë shumë të mirë si Berisha, Selmani dhe Kastrtati tek të cilët kam shumë besim. Po i ndjek të gjithë lojtarët e rinj. Kemi shumë lojtarë të tillë dhe unë dua që t’i kem në fokus dhe dua t’u jap që të gjithëve mundësinë siç bëra me Asllanin që sot është një nga njerëzit më të përfolur të merkatos së futbollit në Itali”.