Fitoi medalje ari në lojërat olimpike, Rita Ora shpreh gjithë krenarinë në gjuhën shqipe për Distria Krasniqin

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, triumfoi në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke fituar medalje ari e duke na bërë të gjithëve krenarë. Krasniqi e nisi mbarë ditën e parë të “Tokio 2020”, pasi fitoi të gjitha ndeshjet, ku në finale ajo u përball me japonezen Funa Tonaki. Loja ishte e vështirë, por shqiptarja ia doli të triumfojë dhe t’i tregojë të gjithëve aftësitë e saj në xhudo.

Gjithashtu, vajza nga Peja ka fituar ndeshjen e parë me ‘ippon’ ndaj brazilianes, Gabriela Chibana, ndërsa në çerekfinale mposhti me ‘ippon’ Chen Hao Lin në kategorinë deri në 48 kilogramë.

Në gjysmëfinale, Distria u takua me kundërshtaren Urantsetseg Munkhbat, të cilën arriti ta mposhtë gjithashtu, edhe pse me pak vështirësi. Xhudistja kosovare u tregua e fortë, duke fituar me anë të ‘Waza-Arit’.

Në finale, Distria u takua me japonezen Funa Tonaki, të cilën sikurse edhe çdo kundërshtare tjetër e mposhti, duke bërë krenare gjithë Kosovën.

Me këtë triumf, xhudistja fiton medaljen e artë në “Tokio 2020”, në kategorinë deri në 48 kilogramë.

Për këtë triumf të Krasniqit ka reaguar edhe Rita Ora në rrjete sociale. Ajo është shprehur shumë e lumtur për arritjen e madhe të xhudistes dhe urimin e saj për të e ka bërë në gjuhën shqipe.

“Urime Distria Krasniqi! Kosova lë gjurmë në ‘Tokio 2020’, Distria Krasniqi fiton medaljen e artë olimpike”, shkruan Rita Ora në postimin e saj shoqëruar me flamurin e Kosovës./iconstyle