Financial Times: A mund t’ia dalë Europa pa gazin rus?

Rreth 30% e furnizimeve me gaz për Bashkimin Europian dhe Britaninë vinin nga Rusia. Por këto eksporte tashmë janë ulur me 75%.

Nëse Moska i ndërpret plotësisht furnizimet, a duhet europianët të frikësohen se do të “ngrijnë” këtë dimër siç ka kërcënuar pala ruse?

Sipas Financial Times, kjo nuk do të ndodhë. Në fakt, duket se Europa tani është shumë më e aftë për të përballuar situatën nga sa kishin menduar më parë edhe më pesimistët.

Pjesa më e madhe e kërkesës për gaz në Europë është për ngrohje. Nëse europianët i ulin temperaturat në shtëpitë e tyre me një mesatare prej 3 gradë Celsius, praktikisht 19 gradë në dimër, ata do të shohin një ndryshim të madh, raporton abcnews.al.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerësoi në një raport në mars se një ulje me një gradë Celsius mund të çojë në kursimin e 10 miliardë metra kub gaz në BE dhe Britani.

Pra, le të shqyrtojmë efektin që do të kishte një ulje prej 3 gradësh duke u fokusuar në të dhëna të detajuara nga nëntë vende europiane: Gjermani, Britani, Francë, Itali, Belgjikë, Holandë, Austri, Republika Çeke dhe Sllovaki.

Në vitin 2021, këto vende përbënin 69% të kërkesës në BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Rritja e importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe zhvendosja e industrisë drejt përdorimit më të madh të naftës kanë reduktuar në masë të madhe mungesën e shkaktuar nga mungesa e furnizimeve ruse.

Një ulje në një mesatare prej 19 gradë Celsius do të zgjidhte dy të tretat e problemit të deficitit për këto nëntë vende. Për më tepër, nëse shoqërohet me një ulje prej 5% të përdorimit të energjisë elektrike – e cila mund të arrihet duke fikur dritat në hapësirat dhe ndërtesat e papërdorura ky deficit do të zhdukej tërësisht.

Por sa e vështirë do të jetë ulja e temperaturës së brendshme me 3 gradë?

Sipas një studimi të vitit 1982, temperatura mesatare e brendshme në Mbretërinë e Bashkuar ishte rreth 16 gradë Celsius në vitin 1978. Një tjetër studim të vitit 1996 nga Departamenti i Mjedisit, Transportit dhe Rajoneve të Mbretërisë së Bashkuar zbuloi se temperaturat e brendshme ishin rreth 18 gradë gjatë dimrit.

Rrjedhimisht, 19 gradë Celsius nuk është një çmim i madh për t’u paguar, duke pasur parasysh atë që është në lojë për shkak të veprimeve të Moskës.

Përveç kësaj, “vuajtja” do të zgjasë vetëm dy vite pasi Europa do të furnizohet me sasi më të mëdha të LNG-së, duke rritur prodhimin e energjisë diellore dhe të erës.

Importet e gazit natyror rus në vendet europiane pritet të ulen nga 103 miliardë metra kub në vitin 2021 në 42 miliardë metër kub në vitin 2022 – domethënë do të ulen me 61 miliardë metra kub.

Këto furnizime do të plotësohen pjesërisht nga importet e LNG-së, të cilat do të vijnë nga vende të tjera. Këto furnizime janë rritur shumë më tepër sesa prisnin Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë dhe analistë të tjerë disa muaj më parë.

Për vitin 2022, vendet europiane pritet të importojnë 41 miliardë metra kub më shumë LNG se vendet e tjera në krahasim me vitin 2021, duke mbuluar 67% të rënies së importeve nga Rusia.

Në të njëjtën kohë, tranzicioni energjetik i industrisë ka tejkaluar pritshmëritë e shumicës së analistëve. Në veçanti, sektori industrial në Europë ka konvertuar tashmë 35% të konsumit të gazit natyror në naftë, raporton abcnews.al.

Në vitet në vijim, kontributi i energjisë së erës dhe diellit pritet të jetë i mjaftueshëm. Megjithatë, kjo nuk pritet të jetë e mjaftueshme për të shmangur mungesat e gazit në të ardhmen.

Nëse kërkesa nuk zvogëlohet më tej, Europa pritet të përballet me një deficit prej rreth 28 miliardë metra kub në vitin 2023.

Masat e marra nga BE dhe Britania

Për të shmangur trazirat sociale, qeveritë e BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë zgjedhur të mbrojnë konsumatorët nga rritja e çmimeve të gazit. Si rezultat, nuk duhet të presim një rënie të ndjeshme të kërkesës nëse nuk ka fushata të gjera ndërgjegjësimi të konsumatorëve për mënyrat e kursimit të energjisë.

Gjashtë muajt e ardhshëm janë kritikë. Nëse Europa mund të bëjë atë që duhet për të reduktuar kërkesën, kjo do të vërtetojë se mund të jetojë pa gazin rus.

Kjo do të ulë çmimet pasi situata do të lehtësohet nga viti në vit. Përveç 100 miliardë dollarëve të eksportit të gazit në Europë, Rusia nuk do të mund të shantazhojë vendet europiane, duke përdorur energjinë si armë./FT