FESTA E 28 NËNTORIT/ DIASPORA URON

Në nder të 109 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Dhoma e Biznesit të Diasporës, nëpërmjet një takimi online me sipërmarrës mbarë botës, ka uruar gjithë shqiptarët në festën e flamurit kombëtarë.

Duke u’a dedikuar këtë ditë përforcimit të bashkëpunimit, Presidenti i Nderit Lazim Destani, falënderoj të gjithë sipërmarrësit për pjesmarrjen dhe uroi ditën e pavarsisë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

“Po e nis me një përshëndetje për të gjithë bashkëkombasit, miq të dashur, gëzohem që shoh kaq shumë përfaqësues e sipërmarrës të rinj në këtë takim.

Dhoma e biznesit na bën bashkë, ashtu siç na ka bërë bashkë gjithmonë flamuri ynë kombëtarë kudo që jemi. Dita e sotme është dita e flamurit andaj ky është dhe motivi i këtij takimi pasi ndër shumë festa 28 nëntori është festa më e rëndësishme që kemi.

Ju uroj të gjithëve gëzuar ditën e flamurit tonë kombëtarë, le ta shënojmë me krenari dhe plotë gëzim shpalljen e pavarsisë se shqipërisë. Ta mbajmë lartë flamurin që heroi ynë kombëtarë, Gjergj Kastrioti, e ngriti në Krujë më 28 nëntor 1443 dhe më vonë, Ismail Qemali në Vlorën heroike në vitin 1912.

Kjo festë na kujton gjithë ato luftëra heroike të popullit tonë për liri dhe pavarësi, na i kujton përpjekjet dhe sakrificat e paraardhësve tanë brez pas brezi. Le ta nderojmë të kaluarën tonë të lavdishme. Nderimin më të madh u’a bëjmë kur ne u përkushtohemi punës me profesionalizëm dhe përkushtim.

Patriotizmi sot matet me punën që bëjmë, me detyrat që ushtrojmë pavarësisht profesionit, qoftë mësues apo mjek, teknik apo inxhinier, punonjës apo afarist, kur gjithsecili e bën punën e tij me korrektësi dhe profesionalizëm  atëher nuk ka pse të mos vijë zhvillimi ekonomik i shoqërisë.” tha Destani.

Në 2 vjetorin e krijimit të Dhomës së Biznesit të Diasporës, Destani përgëzoi të gjithë sipërmarrësit për arritjet e shkëlqyera në një afat të shkurtër kohorë dhe në kohë pandemie.

“Dhoma e Biznesit të Diasporës për një kohë të shkurtër ka shënuar rezultate të shkëlqyera për përmbushjen e misionit të saj. Me këtë rast ju përgëzoj për punën dhe arritjet tuaja.

Si urë lidhëse, dhoma ka krijuar frymë bashkëpunimi për të gjitha trojet shqiptare në fushën ekonomike.

Gëzohem që edhe Dhoma e Maqedonisë dhe e Kosovës janë të strukturuara mirë. Nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi është shumë e rëndësishme bashkëpunimi i mirfilltë mes dhomave të biznesit dhe ekonomisë.” u shpreh Destani.

Në përfundit të fjalës së tij biznesmeni i njohur ndërkombëtar shprehi përgëzime për dy qeveritë shqiptare për takimin në Elbasan, duke thënë se marrëveshjet e nënshkruara paraqesin hapa drejt bashkimit tonë kombëtar.

“Në përfundim do të doja të përgëzoja takimin mes dy qeverive në Elbasan. Marrëveshjet e nënshkruara na gëzojnë të gjithëve. Këto marrëveshjë hekin pengesat e kufijve dhe paraqesin hapa drejt bashkimit tonë kombetarë. Falemindeit dhe Gëzuar.” përfundoi Destani.

Një shqiptarë tjetër i sukseshmëm në Diasporë, ekspert i zhvillimeve detare dhe kryetar i Dhomës së Diasporës, Ardian Lekaj gjatë fjalës së tij solli në vëmendje dy festa në një ditë, festën e pavarësisë dhe 2 vjetorin e themelimit të Dhomës.

“Sot nuk kemi vetëm 109 vjetorin e pavarësisë për të festuar por edhe 2 vjetorin e themelimit të Dhomës së Biznesit të Diasporës shqiptare. Lindëm në periudhën e tërmetit dhe po mbijetojmë gjatë pandemisë.”

Lekaj i kushtoi rëndësi detyrës së gjithsecilit në diasporë që fëmijët të mos e humbasin gjuhën shqipe, ta njohin historinë, vlerat dhe traditat tona të përbashkëta.

“Motivoni dhe mësojuani fëmijëve tuaj gjuhën shqipe, sepse është ajo që na bashkon pa dallim feje, krahine apo besimi politik.” u shpreh Lekaj.

Lekaj tha se në vitin 2022 do të krijijë një mundësi të re e cila ka të bëjë me garën për krijimin e logës së Dhomës se Biznesit të Diasporës.

“Të gjithë prodhuesit dhe ofruesit e shërbimeve do të kenë mundësinë e përdorimit të kësaj logoje përmes një procedure të caktuar  të cilat do të identifikojnë prodhimet e Diasporës.” tha ndër të tjera Lekaj.

Urime dhe përshendetjet nuk munguan edhe nga të zv. Ministrja për Punët e Jashtme dhe Diasporën në Kosovë znj. Liza Gashi e cila tha se 28 Nëntori është dita më ndriçme dhe më e rëndësishme e Rilindjes tonë kombëtare. “Shpallja e pavarësisë ishte një akt shumë i rëndësishëm dhe jetik për popullin shqiptar, por ecja përpara për ta angazhuar popullin vazhdon të jetë një prej shtyllave kryesore që mban komunikimin tonë të  përbashkët. 28 nëntori si dita e flamurit kombëtar do të jetë përherë pika jone e referencës, por edhe pika jonë frymëzuese dhe orientuese për të gjithë shqiptarët për të vazhduar në të ardhmen e sidomos për ti kaluar vlerat te brezat e rinj. Shpresoj që bashkarisht të mundemi të vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe koordinojmë rolin tonë të përbashkët në të ardhmen”, u shpreh Gashi.

Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës z. Mark Gjonaj tha se: “Gjeografia na ndan, kombi na bashkon traditat na lidhin sëbashku dhe të gjitha interesat që Dhoma e Biznesit të Diasporës përfaqëson. Por të mos harrojmë që dita e flamurit nuk ka ardhur falas. Kanë paguar për këtë ditë. Është paguar me gjak, për dekada me radhe, me sakrifica, madje edhe me jetë. Dhe nuk mund ti harrojmë këto sakrifica kurrë. Dhoma e Biznesit të Diasporës që përpiqet të na bashkojë, dhe dua të përmend një proverb që thotë “ Nëse doni të shkoni shpejt, shkoni vetëm, nëse doni të shkoni larg shkoni së bashku. Dhoma e biznesit po na bashkon që kombi jonë të shkoj më larg”.

Ndërsa kryetari i rrjetit të bizneseve shqiptare në Zvicër, z. Qamil Jusufi tha se: “Do të ishte mirë të ishim në shërbim të atdheut tonë edhe më shumë. Pandemia na ndau dhe na e vështirësoi shumë punën këto dy vite, por uroj që  vitit që vjen të kemi punë edhe më të medhaja. Urime dhe suksese”.

Me një pjesmarrje tepër të gjerë dhe aktive, biznesi i Diasporës edhe pse e diel nuk e kurseu kohën për të qenë pjesë e ndarjes së këtyre emocioneve patriotike./g.d apel.media