Fatmira Hajdari apelon vendimin e shkarkimit dhe kërkon të rikthehet në detyrë

Ish-gjyqtarja e Apelit të Tiranës Fatmira Hajdari, e shkarkuar nga shkalla e parë e vettingut, apelon vendimin në KPA dhe kërkon rikthimin në detyrë.

Më datë 21 shtator 2020, Hajdari ka paraqitur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit një padi nëpërmjet së cilës kërkon shfuqizimin e vendimit të KPK për shkarkimin e saj nga detyra. Më datë 18 qershor 2020 trupa e KPK e përbërë nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja morën vendimin për shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtares Fatmira Hajdari. 

Hajdari u shkarkua nga KPK për shkak se iu gjetën parregullsi në lidhje me pasurinë, rreth 1 miliardë lekë pasuri të paligjshme që ajo ka tentuar t’i fshehë. Sipas vendimit të KPK, Hajdari nuk e ka deklaruar plotësisht pasurinë, ka bërë deklarim të pamjaftueshëm, nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e pasurive si dhe ka bërë përpjekje për të fshehur një pjesë të pasurisë.

Padia e Fatmira Hajdarit për rikthim në detyrë do të shqyrtohet nga trupa e KPA e përbërë nga Natasha Mulaj, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Ina Rama dhe Sokol Çomo.