Faruk Neziri kuzhinjeri shqiptar me famë botërore, fitues i Trofeut “Bright Mind Diaspora Investment 2021”

“Dhuro emocion, ashtu siç do të doje të tjerët të të emociononin ty”.

Këto janë fjalët e fituesit të Trofeut “Bright Mind Diaspora Investment 2021”.

Për dhënien e këtij çmimi ishte i ftuar vetë Ministri Pandeli Majko, i cili gëzon një meritë të veçantë për institucionalizimin e Diasporës shqiptare në politikën e Republikës së Shqipërisë.

Faruk Neziri, u vlerësua nga Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare dhe Unioni i Sipërmarrësve të Rinj të Shqipërisë për “Çmimet 2021”.

Kuzhinieri me famë botërore në Maqedoni, Itali e Austri zotohet edhe nga mediat ndërkombëtare si një ndër talentët Italian në kuzhinën Europiane.

Neziri është fitues i shumë çmimeve, ku ndër to mund të përmendim:

“Fituesi më i mirë i peshkut me lajthi IGP”, Itali, 2012;

“Talenti Italian në Botë”, Itali, 2013;

“Ambasador i kuzhinës Italiane në Evropë”, Maqedoni, 2019, si dhe shumë të tjera në Austri e më gjerë.

Gjithashtu Faruk Neziri është cituar në librin “Rruga e Suksesit”, nga autorja Simona Ristevska si një ndër 39 burrat nga Republika e Maqedonisë së Veriut të suksesshëm në të gjithë botën.

Ai është Larguar nga Maqedonia në moshën 17-vjeçare, në një aventurë, e cila i dhuroi sot pasionin për punën që ushtron.

Me gjithë mundin dhe pasionin, ai e përshkruan suksesin e tij, si një dhuratë nga Zoti dhe si diçka shpeshherë të pabesueshme, edhe pse talenti i tij, zanafillën siç duket e ka tek prindërit, të cilët në Ish Jugosllavi, kanë ushtruar profesionin e pastiçierit.

Roma është vendi të cilit ai i dedikon shumë nga suksesi i tij.

Ai e quan Romën, qytetin më të bukur në botë, pasi aty u shfaq njohja e tij me profesionin dhe me talentin e brendshëm, si dhe ju promovua gjithmonë e më shumë nga kushdo.

Edhe pse është larguar në moshë të vogël, Faruku nuk ka lënë kurrë në harresë gjuhën shqipe dhe nuk rresht së thëni se është SHQIPTAR.