FAO: Subvencionet për bujqësinë të arrijnë në 10% të Vlerës së Shtuar

Organizata Botërore e Ushqimit (FAO), në një analizë të fundit që i bëri Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në vendin tonë rekomandoi se mbështetja financiare është shumë e ulët për të çuar sektorin në tr...
FAO: Subvencionet për bujqësinë të arrijnë në 10% të Vlerës së Shtuar
Foto: FAO: Subvencionet për bujqësinë të arrijnë në 10% të Vlerës së Shtuar

Organizata Botërore e Ushqimit (FAO), në një analizë të fundit që i bëri Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në vendin tonë rekomandoi se mbështetja financiare është shumë e ulët për të çuar sektorin në trajektoren e zhvillimit të qëndrueshëm.

FAO vlerësoi se masa e subvencioneve duhet të arrijë në 10 % të Vlerës së Shtuar Bruto nga rreth 2 % që jep qeveria shqiptare aktualisht.

FAO këshilloi që politikëbërësit duhet të kombinojnë mbështetjen financiare me informacionin dhe zhvillimin e kapaciteteve. Skemat mbështetëse duhet të hartohen bazuar në një program afatmesëm për të paktën tre deri në pesë vjet. Numri dhe lloji i masave duhet të jenë e qëndrueshme brenda kësaj periudhe, në mënyrë që të mos dëmtohet parashikueshmëria e biznesit të fermerëve.

Ministria e Bujqësisë duhet të rrisë kapacitetet për analiza ekonomike në mënyrë që mbështetja financiare të shkojnë në drejtimin e duhur.

Organizata Botërore e Ushqimit renditi shqetësimet kryesore të fermerëve në nën-sektorët kryesorë të bujqësisë. Sa i përket nevojave për fermerët e qumështit, dy më të rëndësishmet janë prodhimi i ushqimit në ferma dhe kostot e ndërtimit të stallave.

Nevojat më të rëndësishme për fermerët e serrave janë rritja e sipërfaqes dhe përmirësimi i marrëdhënieve tregtare me blerësit, ndërsa nevoja kryesore për fermerët e mollëve është përmirësimi i varietetit

Mbështetja buxhetore duhet të rritet me 4-5 herë në periudhën afatmesëm, sugjeron FAO, për të plotësuar një nga kriteret e BE për integrimin.

Rekomandohet që subvencioni të mund të fokusohet në sektorë që luajnë një rol kyç në përmirësimin e jetesës rurale. Në këtë drejtim rekomandohet të çohet 40% e subvencioneve dhe pjesa tjetër në mbështetje të prodhimit që ka elasticitet në zinxhirin e vlerës.

Duke pasur parasysh përvojën e financimit të pamjaftueshëm, politike bërësit duhet të formulojnë një program të qartë, minimumi 3-vjeçar për një numër të kufizuar sektorësh (grup mallrash) dhe të prezantojë masat për ti mbështetur me një buxhet të mjaftueshëm.

Mbështetja e sektorëve prioritare me një numër i kufizuar masash, rritja e ndikimit me më shumë financime dhe për më pak sektorë dhe numër më të vogël masash, krijojnë një ambient më të sigurtë për fermerët dhe aktorët e tjerë të zinxhirit të vlerës.

Bujqësia shqiptare është duke kaluar një periudhe të vështirë për shkak të kostove të larta të lëndëve të para, në një kohë që mbështetja me subvencione mungon. Për tremujorin e pare, ekonomia e vendit u rrit me 6%, por bujqësia regjistroi një rritje të papërfillshme, shumë afër nivelit 0.