Facebook dhe Google vazhdojnë ndalimin e reklamave elektorale

Ndërsa keqinformimi zgjedhor vazhdon me intensitet në internet, kompania Facebook njoftoi të mërkurën se ndalimi paszgjedhor i reklamave politike ka të ngjarë të zgjasë edhe një muaj tjetër, duke ngritur shqetësime nga ekipet elektorale dhe grupet që dëshirojnë të kontaktojnë votuesit për gara të rëndësishme të Senatit në Xhorxhia në janar.

Kompania Facebook, e cila e kishte njoftuar ndalimin si pjesë e masave për të luftuar keqinformimin dhe abuzimet e tjera në faqen e saj, kishte thënë më parë se ndalimi do të zgjaste të paktën një javë dhe se mund të zgjatej. Kompania Google, e Alphabet Inc, gjithashtu duket se po i qëndron ndalimit të reklamave politike pas zgjedhjeve.

“Ndërsa burime të shumta kanë projektuar një fitues të zgjedhjeve presidenciale, ne ende besojmë se është e rëndësishme të ndihmojmë në parandalimin e konfuzionit ose abuzimit në platformën tonë”, u tha Facebook-u kompanive të reklamave në një email të parë nga agjensia e lajmeve Reuters, ku u thuhej reklamuesve se pauza do të zgjasë edhe një muaj tjetër edhe pse “mund të ketë ndonjë mundësi për t’i rifilluar këto reklama më shpejt. “

Pretendimet e pabazuara në lidhje me zgjedhjet gjetën jehonë në mediat sociale këtë javë ndërsa Presidenti Donald Trump vazhdoi të sfidojë vlefshmërinë e rezultatit, megjithëse zyrtarët e shteteve nuk raportuan parregullsi me peshë dhe ekspertët ligjorë paralajmëruan se ai kishte pak shanse për të përmbysur fitoren e Presidentit të zgjedhur demokrat Joe Biden.

Kompania Google nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me gjatësinë e pauzës së saj të reklamave. Një zëdhënëse tha më parë se kompania do ta hiqte ndalimin bazuar në faktorë të tillë si koha që do të nevojitej për numërimin e votave dhe nëse do të kishte trazira civile. Ndalimet nënkuptojnë që platformat aktualisht nuk po pranojnë reklama zgjedhore në prag të dy garave të balotazhit për Senatin amerikan në shtetin Xhorxhia që mund të vendosin se kush do ta ketë kontrollin e kësaj dhome.

“Kjo po na lajthit”, tha Mark Jablonowski, partneri menaxhues i DSPolitical, një firmë dixhitale që punon me organizata demokrate.

“Ata në thelb po mbajnë peng pjesën tjetër të procesit politik”, tha Eric Wilson, një ekspert i strategjisë republikane, i cili tha se mendonte se shqetësimet e kompanive për reklamat që lidhen me rezultatin e zgjedhjeve nuk justifikojnë një ndalim të plotë. “Kjo është diçka që meriton një bisturi dhe ata po përdorin një sëpatë të ndryshkur”, shtoi ai.

Kompanitë e mediave sociale nuk pranuan të thonë se kur do të hiqeshin masat e tjera të gjera për të frenuar keqinformimin për zgjedhjet dhe thirrjet për dhunë në postimet pa pagesë, si kufizimet e Facebook-ut në shpërndarjen e videove të drejtpërdrejta dhe dekurajimin e materialeve me përmbajtje që sistemet e saj e perceptojnë si keqinformim.

Zëdhënësi i Facebook-ut, Andy Stone, tha se këto masa emergjence nuk do të ishin të përhershme, por shtoi se heqja e masave ndaluese nuk do të ishte “e afërt”.

Strategët demokratë, përfshirë anëtarë të ekipit elektoral të zotit Biden, i cili shkruajti në Twitter mesazhe kritike për Facebook-un, thanë këtë javë se kompanitë e mediave sociale ende nuk po luftonin në mënyrë efektive përhapjen e gënjeshtrave masive.

Një grup në Facebook që u krijua të dielën dhe arriti me shpejtësi në më shumë se 350,000 anëtarë, të cilët në intervale prej disa sekondash bënin thirrje për një rinumërim në të gjithë vendin dhe hidhnin akuza të pabazuara në lidhje me pretendime për manipulime zgjedhore dhe zhvendosje të votave të shteteve amerikane. /VOA